Kanë dalë pamjet e aksidentit të rëndë të ndodhur në Peshkopi gjatë ditës së djeshme, kur një shofer ka përplasur një polic që po ecte në trotuar.
Siç shikohet në pamje, makina ka ecur me shpejtësi të lartë dhe ka goditur efektivin. Përplasja ka qenë e fortë, sa polici është lënduar dhe tashmë ndodhet në spital.
Në lidhje me ngjarjen, ka reaguar edhe policia, duke u shprehur se 27-vjeçari që drejtonte “Golfin” është shoqëruar në komisariat dhe se dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit.
Dibër / Informacion paraprak
Sot, rreth orës 18:30, në kryqëzimin Velia, në Peshkopi, shtetasi A.Sh., 27 vjeç, duke drejtuar një automjet tip “Golf”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe mjeti ka dalë nga rruga duke u përplasur me një dyqan. Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar shtetasi V.Gj., (punonjës policie në shërbim) i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se drejtuesi i automjetit ishte nën efektin e alkoolit dhe është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit.