Në resortin prestigjioz, ku ndër vite kanë qëndruar ministra e deputetë, kryeministri dhe diplomatë të huaj, artistë dhe njerëz të medias, madje edhe një nga vajzat e Presidentit Trump me të shoqin, janë akomoduar aktualisht 5 ekipe: Française des Jeux, Arkea, Movistar, Cofidis dhe Q36.5.
Resorti ofron parkim gjigand për të gjithë autobusët e ekipeve dhe automjetet ndihmëse me biçikletat dhe pajisjet.
Sivjet Giro d’Italia mbush 108 vjet. Bashkë me Tour de France dhe La Vuelta në Spanjë, është një nga tre xhirot më të rëndësishme çiklistike në botë. Për nisjen e edicionit të këtij viti, qeveria shqiptare ka paguar 7 milionë euro për ta sjellë në Shqipëri, duke mundur Triesten e Italisë, që ofroi 6 milionë euro. Organizimi i tri etapave të para në Durrës, Elbasan, Tiranë dhe Vlorë, do të vazhdojë deri të djelën e 11 majit, kur në vend do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.
Në orën 7 të mëngjesit, në Prestige Resort ekipet janë ende në gjumë. Kurse në restorant, stafi vrapon të shtrojë mëngjesin. Në anën e majtë të hapësirës, katër tavolina janë organizuar për çiklistët, ku ushqimi i tyre është i veçantë. Nutricionisti i ekipit francez na shpjegon se kështu veprojnë të gjitha ekipet.
Hysenbelliu që zotëron ndër të tjera edhe resortin, qesh me historinë e dietave dhe produktet specifike, që ekipet i kanë sjellë me vete nga jashtë. Në celularin e tij na tregon videon e një nate më parë kur çiklistët, pasi ikën menaxherët, iu sulën ushqimit shqiptar të resortit. Por për të evituar situata të tilla, ekipi spanjoll Movistar e ka çuar fiksimin në një nivel tjetër, pasi ka ardhur me kamion-kuzhinë me vete, që shërben edhe si restorant vetëm për çiklistët.
Personi i ngarkuar për komunikimin me mediat na shpjegon se ekipi Movistar është i fokusuar te gara dhe nuk ka pasur kohë të mendojë për faktin se ndodhen në Shqipëri. Na premton një intervistë të shkurtër me italianin Davide Formolo, fitues dikur i një etape të Giro d’Italia.
Ekipi francez Française des Jeux ka një atashe shtypi që quhet Coline. Pak më vonë na premton edhe ajo një intervistë me dikë nga ekipi.
Ndërkohë teknikët e ekipeve kanë filluar të përgatisin biçikletat. Ka 2 lloje: biçikletat për rrugë, që kushtojnë rreth 12 mijë copa, dhe biçikletat e kronometrit në garat individuale, që kushtojnë 27 mijë euro copa. Dhe çdo ekip, ka disa dhjetëra të tilla.
Thierry BRICAUD, është drejtori teknik i ekipit Française des Jeux. Si një diplomat i vërtetë, ai e fillon duke mburrur Shqipërinë.
E megjithatë Giro d’Italia ndiqet nga rreth 800 milionë shikues në më shumë se 200 televizione në mbarë botën. Dhe ajo që quhet në italisht La Grande Partenza, fillimi i madh, starton nga këtu, në oborrin e Prestige Resort në Golem të Kavajës.
Rrugës së kthimit për në Tiranë nga Rrogozhina, duken qartë shenjat e një organizmi shtetëror, me policë e kadetë policie çdo 100m, me pika kontrolli dhe banderola.
Harta tregon një itinerar gjysmë malor, që futet nga Durrësi – Kavaja – Rrogozhina – Papëri – Elbasani – Graçeni – Surreli dhe qendra e Tiranës.