Avokatja e Taulant Tushës ka kërkuar veçimin e çështjes për klientin e saj, duke argumentuar se “provat dhe faktet janë të ndryshme për të pandehurit, bashkë me akuzën”.
Me të njëjtën logjikë, edhe të pandehurit Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albano Janku, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kërkuan që të gjykohen veçmas.
Sipas avokatëve mbrojtës, veprat penale për të cilat akuzohen Mariglen Qato dhe Redi Molla – përkatësisht korrupsion pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash – si dhe Nestor Muhametllari, nuk mund të shqyrtohen në të njëjtin proces, pasi ndryshojnë në natyrë dhe kërkojnë një kohë më të gjatë për gjykim për shkak të analizës së provave dhe akteve.
Megjithatë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e rrëzoi kërkesën e mbrojtësve ligjorë për ndarjen e çështjes, duke vendosur që procesi të vijojë i unifikuar për të gjithë të pandehurit.