Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me propozimin e deputetit Agron Shehaj që partitë opozitare të bashkohen në një koalicion dhe të paraqesin një kandidat të përbashkët, jo politik, për Bashkinë e Tiranës.
Berisha tha se mbështet idenë për të garuar me një kandidat unik opozitar, duke e konsideruar propozimin si të vlefshëm. Megjithatë, ai shtoi se zgjedhja e një kandidati jopolitik për postin e kryebashkiakut të kryeqytetit është diçka që nuk e ka dëgjuar më parë.
“Që të kërkohet të zgjidhet kryetari i Bashkisë së Tiranës një individ pa profil politik, kjo është e pazakontë,” u shpreh ai, duke shtuar se kandidati duhet të ketë një program të qartë për të përmbysur, sipas tij, pasojat e politikave të “narkoshtetit”.
Pyetje: Agron Shehaj ka deklaruar se partitë opozitare do të duhet të dalin me një kandidat jopolitik në zgjedhjet lokale për bashkinë e Tiranës? A e mbështesni?
Sali Berisha: Për të dalë partitë opozitare me një kandidat këtë e mbështes plotësisht, por që të pretendohet të zgjidhet kryetari i Bashkisë së kryeqytetit një njeri jopolitik këtë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë.
Kjo, sepse të paktën duhet të ketë një program ku çmonton të gjithë batërdinë bazuar në politikën e narkoshtetit. Nuk e di ç’nënkuptohet me një kandidat jo politik, por për një kandidat të përbashkët, plotësisht e drejtë.