Në një fjalë të mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE), deputetja socialiste dhe kryetarja e delegacionit shqiptar, Blerina Gjylameti, theksoi se zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri përfaqësojnë një moment të rëndësishëm për demokracinë në vend, duke u zhvilluar në mënyrë gjithëpërfshirëse, transparente dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Duke iu referuar raportit të prezantuar në Asamble, Gjylameti vlerësoi faktin se 95% e qendrave të votimit u vlerësuan pozitivisht nga vëzhguesit ndërkombëtarë, si dëshmi e administrimit profesional dhe të qetë të procesit zgjedhor.
“Jemi krenarë që këto zgjedhje u njohën si gjithëpërfshirëse, transparente, konkurruese dhe të administruara profesionalisht në një ambient të qetë dhe të drejtë.
Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, siç theksohet edhe në këtë raport, 95% e qendrave të votimit janë vlerësuar pozitivisht.
Kjo është një njohje për punën e palodhur të mijëra punonjësve të administratës zgjedhore dhe institucioneve në të gjithë vendin – dhe tregon se sa shumë ka ecur përpara demokracia jonë e re”, u shpreh Gjylameti.
Një tjetër element kyç që ajo vuri në dukje ishte përfshirja për herë të parë e diasporës shqiptare në procesin zgjedhor, një zhvillim që e quajti historik dhe që forcon lidhjet mes shtetit dhe qytetarëve shqiptarë jashtë vendit.
“Jemi gjithashtu krenarë për përfshirjen historike të diasporës sonë, duke i mundësuar shqiptarëve që jetojnë jashtë të kontribuojnë për herë të parë në përcaktimin e së ardhmes së kombit tonë” theksoi ajo.
Në fjalën e saj, Gjylameti ndaloi edhe te roli i strukturave të drejtësisë, veçanërisht i SPAK-ut, i cili në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka luajtur një rol të rëndësishëm në parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore.
“Dua të nënvizoj gjithashtu rolin thelbësor të SPAK-ut, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit, e cila në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka luajtur një rol kyç në parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore, për të ruajtur integritetin e procesit” tha Gjylameti.
Në përmbyllje, ajo theksoi se mbështetja e vazhdueshme që qytetarët i dhanë Partisë Socialiste për një mandat të katërt radhazi nuk është thjesht një fitore politike, por një përgjegjësi për të qeverisur me transparencë, gjithëpërfshirje dhe besnikëri ndaj vlerave evropiane.
Fjala e plotë:
I nderuar President, të nderuar kolegë,
Më lejoni të nis duke falënderuar raportuesin z. Billi dhe znj. Martinez për raportin mbi zgjedhjet parlamentare në Shqipëri të mbajtura më 11 maj, i paraqitur sot këtu.
Si kryetare e Delegacionit Shqiptar në APKE, është një nder për mua të marr fjalën para kësaj Asambleje dhe të theksoj jo vetëm faktin që populli shqiptar, edhe një herë, i dha besimin e tij Partisë Socialiste, por sepse mbështetja e tyre e vazhdueshme ndaj socialistëve, tashmë për një mandat të katërt radhazi, është një shprehje e fuqishme e përkushtimit të Shqipërisë ndaj progresit dhe rrugës evropiane!
Por më shumë se një fitore politike, kjo është një thirrje për të qeverisur me më shumë përgjegjësi – në përputhje me vlerat që na bashkojnë këtu: demokracinë, transparencën, përfshirjen dhe sundimin e ligjit.
Jemi krenarë që këto zgjedhje u njohën si gjithëpërfshirëse, transparente, konkurruese dhe të administruara profesionalisht në një ambient të qetë dhe të drejtë.
Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, siç theksohet edhe në këtë raport, 95% e qendrave të votimit janë vlerësuar pozitivisht.
Kjo është një njohje për punën e palodhur të mijëra punonjësve të administratës zgjedhore dhe institucioneve në të gjithë vendin – dhe tregon se sa shumë ka ecur përpara demokracia jonë e re.
Jemi gjithashtu krenarë për përfshirjen historike të diasporës sonë, duke i mundësuar shqiptarëve që jetojnë jashtë të kontribuojnë për herë të parë në përcaktimin e së ardhmes së kombit tonë.
Dua të nënvizoj gjithashtu rolin thelbësor të SPAK-ut, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit, e cila në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka luajtur një rol kyç në parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore, për të ruajtur integritetin e procesit.
Puna e tyre është një dëshmi se sundimi i ligjit në Shqipëri nuk është vetëm një parim, por një realitet aktiv dhe në zhvillim.
Njëkohësisht, e pranojmë me përgjegjësi çdo shqetësim të ngritur në raport, të cilat do të punojmë me përkushtim për t’i adresuar sa më shpejt.
Në mënyrë të veçantë, mbetemi të angazhuar për të çuar përpara reformën zgjedhore, për të depolitizuar institucionet zgjedhore, dhe për të përmirësuar financimin e fushatës dhe lirinë e medias – në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it.
Të nderuar kolegë, vendosmëria e Shqipërisë për të vazhduar rrugën e reformave nuk lidhet vetëm me anëtarësimin – ajo lidhet me standardet dhe vlerat.
Lidhet me ndërtimin e një shoqërie ku qytetarët besojnë te vota e tyre, besojnë te institucionet, dhe ndihen të përfaqësuar në çdo nivel të qeverisjes.
Kjo na nxit të vazhdojmë punën tonë me përulësi dhe vendosmëri, jo vetëm për të përmbushur standardet, por për t’i jetësuar ato.
()