Nga arrestimet te dorëheqjet e emërimet si ministra, 6 bashki në vend drejt zgjedhjeve të parakohshme

Nga problemet e kryebashkiakëve me drejtësinë, te dorëheqjet për arsye personale e politike apo zgjedhja si deputetë, 6 bashki të vendit: Tirana, Vlora, Berati, Cërriku, Tepelena e Mati pritet të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.

Në mbledhjen e Asambesë së Partisë Socialiste, teksa prezantoi kabinetin e ri qeveritar, kryeministri Rama i kërkoi Këshillit Bashkiak të Tiranës të votojë për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili u arrestua në shkurt të 2025, akuzuar për 13 vepra penale. Edi Rama propozoi emrin e Ogerta Manastirliut, si kandidate e PS-së për Bashkinë e Tiranës, e cila deri më tani mbante postin e Ministres së Arsimit dhe Sportit.

Edhe Vlora do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi më 10 shtator kryebashkiaku Ermal Dredha paraqiti dorëheqjen, duke deklaruar se largimi i tij vinte si një akt reflektimi dhe përgjegjësie. Rrethanat aktuale, familjare, personale, apo edhe ato politike e administrative, më shtyjnë të besoj se dorëheqja është veprimi më i drejtë në këtë moment, tha Dredha në letrën e tij, ndërsa në mbledhjen e Asamblesë së PS-së deklaroi se do të mbetet gjithnjë socialist.

Ervin Demo që mbante postin e kryebashkiakut të Beratit që nga zgjedhjet e majit 2023 paraqiti dorëheqjen më 23 mars të këtij viti, pasi kandidoi si deputet i Partisë Socialiste. Kësisoj edhe Bashkia e Beratit duhet të zgjedhë drejtuesin e ri. Jo vetëm deputet, drejtuesit politik të Beratit në qeverinë “Rama 4” iu besua Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor që në legjislaturën e shkuar drejtohej nga Arbjan Mazniku.

Surpriza e kabinetit të ri qeveritar, padyshim mbetet Andis Salla, kryebashkiaku i Cërrikut, i cili u prezantua nga shefi i ekzekutivit si Ministër i Bujqësisë, institucion që Rama e quajti “Ministri për Punët e Fshatit”. Në këtë mënyrë, edhe Cërriku do t’iu nënshtrohet zgjedhjeve të reja.

Po ashtu, në mars të këtij viti paraqiti dorëheqjen edhe Tërmet Peçi, kryebashkiaku i Tepelenës, i cili do të jetë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, si deputet i zgjedhur i qarkut Gjirokastër. Ndaj edhe Tepelena pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Edhe Bashkia Mat do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së Agron Malajt në muajin mars, për të kandiduar si deputet i qarkut Dibër.

 


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×