Grupi parlamentar demokrat ka mbajtur 1 minutë heshtje në nderimt të ish-deputetit demokrat Azem Hajdari i cili u vra më 12 shtator të vitit 1998, në një atentat pranë selisë së Partisë Demokratike.
Ai mbahet mend si një prej figurave më të zëshme të tranzicionit politik dhe mbetet një emër i rëndësishëm në historinë e re të vendit.
Këtij homazhi nuk iu bashkuan deputetët socialistë.
Kuvendi i Shqipërisë ka nisur sot seancën e tij të parë plenare, duke shënuar nisjen zyrtare të legjislaturës së re.
Seanca u hap me paraqitjen e raportit nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, i cili kishte për detyrë të kontrollonte vlefshmërinë ligjore të mandateve të deputetëve të sapozgjedhur.
Pas miratimit të këtij raporti, deputetët e rinj bënë betimin solemn, duke marrë zyrtarisht funksionin e tyre si përfaqësues në Parlament. Pika më e rëndësishme e ditës ishte procesi për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit. Partia Socialiste ka propozuar Niko Peleshin si kandidat për të marrë drejtimin e institucionit ligjvënës.