Deputetja e PD, Ina Zhupa, e cilësoi projektin AADF-së për shembjen e banesave në Durrës, pushtim të trashëgimisë kulturore.
Ajo tha se nga ky projekt mbi 70 familje durrsake janë nën presion për t’u shpronësuar, ku sipas saj, fshihen interesa private dhe jo publike.
“Projekti i AADF-së, për shembjen e banesave në Durrës nuk është rijetëzim, është pushtim i trashëgimisë sonë. I dëmshëm dhe i padrejtë për komunitetin durrsak.
AADF sillet si pronar i historisë, trashëgimisë dhe kulturës shqiptare dhe qeveria ‘i bën fresk’!
I jap mbështetje të plotë banorëve së lagjes së vjetër të Kalasë në Durrës, të cilët i përgëzoj për vendimin për të protestuar përballë zyrave të AADF në Tiranë. Një reagim i drejtë ndaj një padrejtësie të madhe. Mbi 70 familje janë nën presion për t’u shpronësuar pas një projekti që fsheh pas vetes interesa private dhe zhdukje të kujtesës historike. Ai komunitet e ka mbajtur atë zonë gjallë për më shumë se një shekull dhe janë po ashtu pjesë e historisë.
As turistët nuk vijnë për të parë lulishte prej miliona eurosh me fatura të AADF. Ata vijnë për shtëpitë e vjetra, për historinë e gjallë që ruhet në gurë, në rrugica, në njerëz.
Të shkatërrosh këtë për të ndërtuar një “kartolinë sterile” është krim ndaj identitetit. Jemi përballë një krizë të rëndë të integritetit shtetëror dhe shoqëror.
I bëj thirrje qeverisë shqiptare të ndalë menjëherë këtë abuzim! Detyra e saj është të mbrojë qytetarët dhe trashëgiminë, jo t’i dorëzojë të dyja në duart e koncesionarit të zakonshëm AADF, që nuk po lë më trashëgimi pa shtënë në dorë duke i trajtuar si mall. Si kryetare e komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës do kërkoj dëgjesa në komision me banorët, me bashkinë Durrës, AADF dhe Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit. Trashëgimia nuk shpronësohet. Nuk shembet. Trashëgimia jetohet dhe mbrohet, nga të gjithë!”, shkroi Zhupa në një postim në Facebook.
BalkanWeb