
Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, gjatë një interviste për News24 nga Korça, foli për disa çështje me rëndësi politike dhe shoqërore, përfshirë ligjin për barazinë gjinore, reformat në drejtësi dhe punën e SPAK. E pyetur në lidhje me debatin për ligjin e barazisë gjinore, ambasadorja theksoi se respektimi i të drejtave të njeriut dhe barazisë është një vlerë thelbësore e Bashkimit Europian dhe diplomacisë franceze.
“Ajo që mund të them është se të drejtat e njeriut, mosdiskriminimi kundrejt çdo lloj njeriu apo popullsie dhe barazia e gjinive janë vlera themelore të Bashkimit Europian. Nuk ka një direktivë të posaçme të BE-së, por të gjitha tekstet mbrojnë të drejtat njerëzore dhe mungesën e diskriminimit. Kjo është zemra e drejtësisë në BE dhe e diplomacisë franceze gjithashtu,” -u shpreh Suard.
Në lidhje me raportin e fundit të Këshillit të Europës për progresin e Shqipërisë drejt standardeve të BE-së, Suard e cilësoi atë si një dokument shumë pozitiv, që njeh arritjet e deritanishme, por kërkon vazhdim të reformave.
“Raporti që u publikua së fundmi është shumë pozitiv dhe vlerëson progresin e paprecedent që është bërë deri tani. Kjo qasje duhet të vazhdojë në të ardhmen, duke inkurajuar reformat dhe duke ecur më tej. Përtej teksteve ligjore, sfida mbetet zbatimi i tyre në praktikë,” -theksoi ambasadorja.
Ajo shtoi se zbatimi i ligjeve dhe kontrollet efektive janë thelbësore për suksesin e reformave dhe se Franca dhe BE do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në këtë proces. Në lidhje me SPAK-un, ambasadorja franceze e cilësoi atë si një nga rezultatet më të prekshme dhe emblemë të reformës në drejtësi në Shqipëri. “SPAK është një mjet i jashtëzakonshëm, që ka evoluar shumë dhe sot është bërë një partner i plotë për sistemet tona të drejtësisë dhe sigurisë. Është një institucion që jep një tregues të rëndësishëm të pjekurisë së sistemit shqiptar të drejtësisë,” -u shpreh ajo.
Suard shtoi se suksesi i SPAK-ut lidhet edhe me profesionalizmin e drejtuesve të tij, duke shprehur besim se puna e institucionit do të vazhdojë me të njëjtin intensitet edhe pas ndryshimeve të fundit në drejtim.
and then