
Partizani në stadiumin “Niko Dovana” mori 3 pikë të arta. Fitorja ndaj Teutës ka vlerë të madhe, pasi erdhi me përmbysje dhe në momentin më të vështirë. Trajneri Kërnaja provoi fitoren e dytë me të kuqtë dhe mund të punojë më i qetë për takimin ndaj Vllaznisë. Partizani ka aktualisht pesë lojtarë të dëmtuar, Arshonzh Bintsuka, Xhuliano Skuka, Saliu Sembene, Marçelino Preka dhe Albion Marku.
Lajmi më i keq ndërkohë mund të shikohet pezullimi i David Atanaskoskit. Mbrojtësi i krahut të majtë u ndëshkua me karton të verdhë ndaj Teutës, pikërisht në pjesën e dytë para se të fillonte përmbysja e rezultatit. Për këtë ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë. Sfida delikate ndaj Vllaznisë e shikon si një mungesë jo pak të vogël.
LIDER- Atanaskoski është kthyer në lider për këtë edicion të Superiores. Mbrojtësi nga Maqedonia e Veriut shfaqet i palodhur duke kontribuar kudo në krahun e majtë. Nga derbi në javën e gjashtë ka blinduar vendin e titullarit. Me përjashtim të sfidave ndaj Vorës dhe Bylisit, në nëntë javët e tjera ka luajtur nga minuta e parë. Atanaskoski shikohet si lider, jo vetëm sepse pas Alban Hoxha është lojtari me më shumë paraqitje te “demat”.
Atanaskoski numëron mbi 100 paraqitje dhe e ndjen peshën e fanellës së Partizanit. 29-vjeçari mbajti shiritin e kapitenit në “Niko Dovana”. Atanaskoski qëndroi konkretisht si kapiten i pestë, në mungesë të Hoxhës, Skukës, Prekës dhe Markut. Te goli i parë i Teutës kishte përgjegjësinë e tij, pasi mund të bënte më mirë. Në anën tjetër shikohet si lojtari që i fitoi me zgjuarësi Tolit një penallti vendimtare. Nga 11-metërshi nuk gaboi Toma, goli i të cilit u përkthye me 3 pikë.
and then