
Aktivisti dhe fermeri Alban Çakalli, i ftuar në studion e News24, ka komentuar situatën e bizneseve që lidhen me sektorin bujqësor, duke theksuar se një sërë faktorësh po çojnë drejt mbylljes së shumë aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.
Sipas Çakallit, largimi masiv i të rinjve nga vendi dhe mungesa e infrastrukturës së nevojshme janë ndër shkaqet kryesore që ndikojnë negativisht në zhvillimin e bizneseve të lidhura me bujqësinë. “Ka shumë faktorë që sjellin mbylljen e bizneseve, si lëvizja e të rinjve dhe infrastruktura e dobët. Këto janë elementë që ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatet negative që po shohim,” u shpreh ai.
Çakalli nënvizoi se agroturizmi është një mundësi e rëndësishme për ringritjen e ekonomisë rurale, por nuk mund të shihet si zgjidhja e vetme. “Agroturizmi është një element i rëndësishëm, por jo të gjithë mund të fokusohen aty. Nuk mund të jetë drejtimi i vetëm për zhvillim,” tha ai.
Sipas tij, fermerët vijojnë të përballen me probleme serioze në përditshmëri, të cilat pengojnë prodhimin dhe konkurrueshmërinë e tyre. Ai listoi ndër to mungesën e energjisë elektrike në parcela, infrastrukturën e dobët rrugore, mungesën e kanaleve vaditëse dhe ujitëse, si edhe vështirësitë për të pasur akses në tregje.
Çakalli bëri apel për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet shtetërore, duke theksuar se pa mbështetje konkrete dhe investime në infrastrukturë, shumë biznese rurale rrezikojnë të zhduken përfundimisht.
and then