“Buxheti 2026 duhej të ishte përgjigje ndaj krizave”, Erisa Xhixho: Shqipëria me subvencionet më të ulëta në rajon për fermerët

Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka deklaruar se Buxheti i vitit 2026 duhej të ishte një përgjigje e fortë ndaj krizave që po përjeton bujqësia

Sipas saj, fermerët shqiptarë janë më të pambështeturit në rajon dhe do të vijojnë të mbeten të tillë edhe përgjatë vitit të ardhshëm, pasi për 2026, Shqipëria ka nivelin më të ulët të subvencioneve.

Pjesë nga fjala e Xhixhos:
Buxheti i vitit 2026 duhej të ishte një përgjigje e fortë ndaj krizave që po përjeton bujqësia, por projektbuxheti i sjellë në Parlament tregon qartë se qeveria do të vijojë të injorojë hapur realitetin e fermerëve dhe nga nevojat jetike të vendit.

Ky sektor që mbështet një të tretën e popullsisë aktive karakterizohet prej vitesh nga mungesa e investimeve, e parave për fermerin dhe e strukturave mbështetëse për ekonominë e tij. Buxheti qesharak që qeveria ka ndarë për vitin e ardhshëm është jo vetëm dështim ekonomik, por edhe social.

Fermerët shqiptarë janë më të pambështeturit në rajon dhe do të vijojnë të mbeten të tillë edhe përgjatë vitit të ardhshëm.

Për 2026, Shqipëria ka nivelin më të ulët të subvencioneve.
Shqipëria: 53 milionë euro
Kosova: rreth 200 milionë euro
Maqedoni e Veriut: rreth 300 milionë euro
Serbi: 800 milionë euro

Kaq mjafton për të shpjeguar prodhimin vendas që mbetet stok. Mundi i një viti të tërë përfundon i hedhur në rrugë sepse tregu mbytet nga produktet e importuara.

Prodhime të hedhura në kanal, ulje çmimesh me nën koston e prodhimit, importet me çmime shumë herë më të ulëta se prodhimi vendas, është histori që përsëritet çdo vit.

Blegtoria është në rënie të lirë, si për nga numri i krerëve dhe nga sasia e prodhimit. Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë rënie drastike të krerëve në të gjitha llojet e kafshëve për mish dhe qumësht, duke ua lënë vendin tonelatave me mish dhe qumësht pluhur që importohen. Prodhimi i përgjithshëm i qumështit është ulur me 2,7%, ndërsa i mishit në peshë të gjallë ka rënë me 3,8%, prodhimi i vezëve ka rënë me 0,7%.

Fermat mbyllen sepse fermerët janë të zhgënjyer e të mashtruar. E vetmja shpresë edhe për ta, si për mijëra të rinj të këtij vendi, është emigrimi.

Fondet IPARD – burimi më i rëndësishëm për modernizimin e bujqësisë dhe rritjen e standardeve – vijojnë të jenë të bllokuara. Ky bllokim ka ndalur investime të mëdha që fermerët i prisnin prej vitesh, ka dëmtuar besueshmërinë e institucioneve tona dhe ka çuar në humbjen e mundësive për zhvillim të qëndrueshëm. 112 milionë euro të destinuara për ta mbeten të bllokuara për të dytin vit, për shkak të korrupsionit të qeverisë “Rama”. Kjo qeveri që jo vetëm nuk mbështet fermerët, por edhe u grabit fondet europiane, e mori përgjigjen pak ditë më parë: Bashkimi Europian është i gatshëm të mbështesë fermerët shqiptarë, por nuk lejon abuzimin me paratë e taksapaguesve europianë!

Situata rëndohet edhe më shumë nga përmbytjet e ditëve të fundit, që kanë vënën nën ujë dhjetëra hektarë tokë bujqësore. Fermerët po përballen me humbje të prodhimit, dëmtime të infrastrukturës dhe kosto shtesë që rrezikojnë seriozisht sezonin e ardhshëm. Nuk ka sistem funksional vaditjeje dhe kullimi, sepse ai është dëmtuar dhe ndryshuar padrejtësisht. Sistemi i dikurshëm, një strukturë e unifikuar, e përbërë nga basenet, hidrovoret dhe kanalet me disa nivele, të cilat funksiononin si një rrjet i vetëm, ka dalë jashtë përdorimi.
Sot fermerët kanë nën ujë jo vetëm tokën dhe prodhimin, por edhe bagëtitë dhe ushqimin e tyre për dimrin që është përpara.
Në një kohë kur bujqësia ka nevojë urgjente për mbështetje, për investime në sistemet e ujitjes dhe kullimit, dhe për fonde emergjence, buxheti i propozuar nuk reflekton asnjë prioritet real për t’u ardhur në ndihmë fermave dhe mijëra familjeve që e mbështetin ekonominë e tyre te bujqësia.

Edhe këtë vit, 125 milionë euro orientohen drejt koncesioneve e PPP, çka konfirmon edhe njëherë se për qeverinë më shumë rëndësi kanë një grusht njerëzish që përfitojnë prej tyre sesa mijëra familje që mbajnë gjallë ekonominë rurale.

Paratë nuk kursehen për rrugët e florinjta që po bien njëra-pas tjetrës. Kostoja e ndërtimit të një rruge është sot 500 deri në 1600 herë më e madhe se 16 vjet më parë.

Mjafton të kujtojmë aksin Qukës–Qafë Plloçë që u ka kushtuar shqiptarëve 260 milionë euro, rrugën Korçë–Ersekë 80 milionë euro, Kardhiq–Delvinë 146 milion euro, që shemben sapo nis stina e shirave. Për të mos folur për Unazën e florinjtë të Tiranës që ka thithur qindra milion euro, ende nuk është bërë plotësisht funksionale dhe përmbytet sa herë bie shi. Paratë janë, por u jepen atyre që ndërtojnë rrugë pa standarde duke ua faturuar shqiptarëve qindra fish. Apo korrupsioni qeveritar i megagaferës me Tunelin e Llogarasë, ku me një tender vidhen 75 milionë euro dhe ku zv.kryeministrja e pandehur as nuk dorëhiqet dhe as nuk shkarkohet, pasi padyshim ky është një sistem korrupsioni që ka në krye Edi Ramën.

Ne kërkojmë rishikim të menjëhershëm të buxhetit të bujqësisë për 2026, rritje të subvencioneve direkte, fonde emergjence për zonat e përmbytura, investime serioze në infrastrukturën ujitëse dhe kulluese, si dhe hapa të qartë për zhbllokimin e fondeve IPARD, të cilat janë jetike për modernizimin e sektorit.

Buxheti duhet të jetë mjet zhvillimi dhe mbështetjeje për njerëzit, jo instrument i pasurimit të një pakice.

Faleminderit!



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×