
Avokati Indrit Sefa, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, duke kritikuar qëndrimin e opozitës.
Sipas Sefës, Partia Demokratike nuk ka një qëndrim të qartë politik përballë kërkesave të SPAK. Ai theksoi se, nëse opozita deklaron se e mbështet SPAK-un dhe ka hequr dorë nga imuniteti, atëherë çdo kërkesë e prokurorisë duhet të pranohet pa vonesa dhe pa debate të panevojshme.
“Nëse qëndrimi politik është mbështetje e plotë për SPAK-un, çfarë pune ka opozita të kërkojë provat? Madje vetë opozita ka thënë se nuk e do imunitetin fare. Në momentin që vjen kërkesa, qëndrimi duhet të jetë i prerë: të jepet autorizimi,” u shpreh Sefa.
Ai vuri në pikëpyetje rolin e deputetëve në shqyrtimin e provave, duke theksuar se vlerësimi i tyre është kompetencë ekskluzive e SPAK-ut dhe jo e Kuvendit. “Me çfarë autoriteti deputetët do të vlerësojnë punën e organit të posaçëm të procedurës? Provat i di SPAK-u, jo politika,” tha ai.
Sefa pranoi se procedura parlamentare është e parashikuar me ligj, por nënvizoi se qëndrimi politik i PD-së duhet të jetë vetëm një: dhënia e menjëhershme e autorizimit për arrestimin e Ballukut, pa tentativa për të gjykuar apo vlerësuar punën e prokurorisë.
and then