
Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale. Në qëndrimin e saj Xhixho është fokusuar te dy raportet zyrtare të Avokatit të Popullit. Ajo shton se këto raporte ngrenë alarmin më të fortë institucional për trajtimin e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Xhixho thekson se raporti i parë, i publikuar në gusht 2025, ka evidentuar shkelje të rënda ligjore dhe kushtetuese gjatë shoqërimit të Metës.
“Përdorimi i forcës ka qenë disproporcional, degradues dhe në shkelje të hapur të dinjitetit njerëzor. Nuk është mbajtur asnjë dokumentacion për shoqërimin, z. Meta nuk është informuar për të drejtat e tij, nuk i është komunikuar vendimi gjyqësor, nuk i është garantuar kontakti me avokatin dhe është mbajtur për orë të tëra në ambientet e policisë pa i komunikuar Vendimin, në kundërshtim të plotë me standardet europiane”, thotë ajo.
Fjala e plotë e Erisa Xhixhos
Dy raporte zyrtare të Avokatit të Popullit kanë ngritur alarmin më të fortë institucional për izolimin politik dhe trajtimin çnjerëzor të Presidentit të Partisë së Lirisë, z. Ilir Meta. Këto raporte faktojnë shkelje të rënda të ligjit, të Kushtetutës dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Raporti i parë, i publikuar në gusht 2025, dokumentoi rrëmbimin kriminal në mes të ditës të ish-Presidentit të Republikës, ish-Kryeministrit dhe ish-Kryetarit të Kuvendit. Avokati i Popullit konstaton se Forcat Speciale Operacionale ishin të maskuara, pa shenja identifikuese, pa kamera trupi dhe me mjete private, janë përdorur në shkelje flagrante të ligjit, ndaj një personi të paarmatosur, pa rrezikshmëri shoqërore dhe që ka qenë gjithmonë i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë.
Përdorimi i forcës ka qenë disproporcional, degradues dhe në shkelje të hapur të dinjitetit njerëzor. Nuk është mbajtur asnjë dokumentacion për shoqërimin, z. Meta nuk është informuar për të drejtat e tij, nuk i është komunikuar vendimi gjyqësor, nuk i është garantuar kontakti me avokatin dhe është mbajtur për orë të tëra në ambientet e policisë pa i komunikuar Vendimin,në kundërshtim të plotë me standardet europiane.
Dhe më e rënda: e gjithë skena u inskenua me regji televizive, me urdhër politik nga Edi Rama, për të prodhuar show dhe frike .
Avokati i Popullit e thotë qartë: kjo procedurë përbën trajtim degradues sipas jurisprudencës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ky nuk është shtet i së drejtës. Ky është shtet bandash.
Raporti i dytë, i publikuar në nëntor 2025, konfirmon zyrtarisht atë që Partia e Lirisë ka denoncuar prej më shumë se një viti: Ilir Meta mbahet i burgosur politikisht, pa fakte dhe pa prova penale, në kushte që shkelin hapur Konventën Europiane, Kushtetutën dhe ligjin.
Avokati i Popullit konstaton kufizim të tepruar dhe arbitrar të takimeve familjare duke lejuar vetem 4 takime ne muaj, duke e kthyer minimumin ligjor në standard ndalues, pa asnjë bazë ligjore. Ndalohen padrejtësisht vizitat e deputetëve dhe eurodeputetëve, në kundërshtim flagrant me ligjin. Pengohen kontaktet me drejtuesit e partisë, duke cenuar drejtpërdrejt të drejtën e organizimit politik. Ndërhyhet dhe bllokohet komunikimi me median, duke shkelur rëndë lirinë e shprehjes dhe transparencën.
Raporti është i qartë: të paraburgosurit duhet të gëzojnë një regjim më të lirë, mbi bazën e prezumimit të pafajësisë. Ajo që ndodh me z. Meta është praktikë e një shteti represiv që përdor burgjet dhe drejtësinë si instrument hakmarrjeje politike.
Dhe absurdi bëhet edhe më i rëndë: në Rusi, Putin nuk ia hoqi Navalnyt lirinë e shprehjes. Denoncimet e tij nga burgu arritën te miliona qytetarë. Në Shqipëri, regjimi i Edi Ramës ia ka hequr Ilir Metës të drejtën e fjalës. Çdo përpjekje për komunikim me median ndëshkohet. Çdo fjalë censurohet me urdhër politik.
A mund të flasim për Shqipëri Europiane, kur Tirana sillet më keq se Kremlini?
Raporti i Avokatit të Popullit e thotë qartë: komunikimi me median është pjesë e pandashme e lirisë së shprehjes dhe transparences. Respektimi i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut nuk është opsion, është detyrim ligjor. Zbatimi i 9 rekomandimeve të Avokatit të Popullit është detyrim, jo zgjedhje politike.
Partia e Lirisë kërkon fundin e menjëhershëm të izolimit politik, respektimin e plotë të të drejtave themelore të njeriut dhe ndalimin e përdorimit të drejtësisë si armë kundër opozitës.
Shqipëria europiane që qytetarët meritojnë ndërtohet mbi demokracinë, shtetin e së drejtës dhe dinjitetin njerëzor – jo mbi frikën, dhunën dhe censurën.
and then