I kërkuar nga autoritetet në Itali, për pjesëmarrje në grup kriminal, arrestohet 35-vjeçari

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Mirditë, operacioni policor i koduar “Mekanizmi”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

I kërkuar nga autoritetet në Itali, për pjesëmarrje në grup kriminal të akuzuar për 71 vjedhje/tentativa për vjedhje (me armë), në vitin 2023, në banesa në 4 rajone të Italisë, kapet 35-vjeçari.

Procedohet penalisht shtetasi që drejtonte automjetin me të cilin lëvizte në Rrëshen, i ndaluari.

Sekuestrohet automjeti tip “Benz”.

Si rezultat i sigurimit të informacioneve në rrugë operative, mbi vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar për llogari të autoriteteve në Itali, dhe shkëmbimit të këtyre informacioneve, me Interpol Romën, nëpërmjet Interpol Tiranës, u finalizua operacioni “Mekanizmi”.

Në kuadër të operacionit u kap teksa lëvizte me automjet në Rrëshen, dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi M. Zh. alias M. T., 35 vjeç.

Në vitin 2024, Gjykata e Milanos i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për armëmbajtje pa leje, vjedhje me dhunë dhe shkatërrim të pronës, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Shtetasi M. Zh. alias M. T. akuzohet se gjatë vitit 2023, ka kryer 71 vjedhje/tentativa për vjedhje, në banesa në 4 rajone të Italisë, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Për secilin rast, 2-4 pjesëtarë të grupit akuzohen se janë armatosur, kanë kryer krimet kundër pronës dhe më pas janë larguar me automjet.

Më tej, në vijim të operacionit “Mekanizmi”, nisi procedimi penal, për veprën “Përkrahja e autorit të krimit”, për shtetasin që drejtonte automjetin me të cilin lëvizte 35-vjeçari, G. N., 37 vjeç, banues në Mirditë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Ndërkaq, Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit M. Zh. alias M. T., në Itali.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×