Ish-oficeri i lartë i Policisë, Helidon Veizi: Policia duhet të jetë vetëm në shërbim të ligjit dhe qytetarëve

Me rastin e 113-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, ish-oficeri i lartë i Policisë, Helidon Veizi, ka reaguar publikisht me një mesazh reflektues dhe realist mbi rrugëtimin e këtij institucioni ndër vite.

Në reagimin e tij, Veizi e cilëson Policinë e Shtetit si një institucion me një histori të gjatë, të ndërtuar përmes periudhash të ndryshme historike, ku mijëra punonjës kanë shërbyer me përkushtim, duke përballuar sfida, arritje, por edhe rënie e ngritje në performancë, në varësi të kërkesave dhe presioneve të kohës.

Ai thekson se sot të gjithë qytetarët do të donin një polici moderne, të konsoliduar dhe të pavarur nga ndikimet politike, një polici që varet vetëm nga ligji, është në shërbim të qytetarëve dhe zhvillon një luftë reale, efektive dhe pa kompromis kundër krimit.

“Një organizatë brilante me njerëz të ndershëm, dinjitozë, me integritet dhe të përkushtuar”, shprehet Veizi, duke ngritur një pyetje thelbësore: a është arritur realisht ky standard?

Sipas tij, pavarësisht sakrificave të shumta dhe dëshmorëve që Policia e Shtetit ka dhënë ndër vite, ende nuk mund të thuhet se ky objektiv është realizuar plotësisht.

Megjithatë, ai nënvizon se sakrifica e efektivëve nuk duhet harruar kurrë dhe se vepra e tyre meriton respekt dhe mirënjohje të përhershme.

Mesazhi i Helidon Veizit merr një vlerë të veçantë, pasi ai është një nga ish-oficerët e lartë të Policisë së Shtetit që u largua nga radhët e saj jo me dëshirë, por për shkak të mospranimit të figurave të ndershme dhe profesioniste brenda strukturës, një fenomen që sipas shumë zërave ka dëmtuar rëndë institucionin ndër vite.

Në përfundim, ai uron të gjithë ata që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në polici me ndershmëri dhe përkushtim, duke ritheksuar nevojën për një luftë të pandërprerë dhe pa kompromis kundër krimit.

Gëzuar 113-vjetorin e Policisë së Shtetit. Nderim për uniformën dhe për ata që i shërbyen me dinjitet.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×