
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, i ftuar në studion e emisionit “Oponencë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe ngërçin e krijuar rreth kërkesës së SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke akuzuar mazhorancën për bllokim të qëllimshëm të procedurave parlamentare.
Korreshi e krahasoi rastin e Ballukut me atë të ish-ministres Olta Xhaçka, duke theksuar se situatat janë thelbësisht të ndryshme. “Olta Xhaçka nuk kishte kallëzim penal dhe nuk kishte SPAK në mes, ishte vetëm konflikt interesi për heqjen e mandatit. Në rastin e Ballukut ka kallëzim penal, ka akuza për vjedhje dhe krime më të rënda që lidhen me 12 tendera. Këtu SPAK kërkon arrestimin dhe heqjen e mandatit që të procedohet,” u shpreh deputeti demokrat.
Ai akuzoi drejtuesit e Kuvendit se po pengojnë funksionimin e Komisionit të Mandateve, duke mos thirrur mbledhje dhe duke mos vënë në dispozicion as sallën dhe as sekretariatin. “Kur ata nuk vijnë në Komisionin e Mandateve dhe mbyllin dyert e Kuvendit, me kë do të flasim? Rregullorja është e qartë: nëse gjysma e anëtarëve kërkon mbledhjen, komisioni duhet të mblidhet dhe mbledhja është e vlefshme edhe me gjysmën e anëtarëve,” deklaroi Korreshi.
Sipas tij, opozita i është drejtuar SPAK-ut me kallëzim penal edhe për kryetarin e Kuvendit, duke e akuzuar për pengim të veprimtarisë parlamentare. “Ne nuk jemi punëtorët e askujt. “Mbyllin dyert e kuvendit. Ne i jemi drejtuar SPAK-ut me kallëzim penal për kryetarin e kuvendit, Niko Peleshin. Ne nuk jemi punëtorët e Nikos, na kanë sjellë qytetarët që na kanë votuar. Jo vetëm kaq rregullorja thotë që mbledhja është e vlefshme dhe me gjysmën e anëtarëve”, tha ai.
Në deklaratat e tij, Korreshi nuk kurseu as kritikat ndaj Presidentit të Republikës, duke e cilësuar rolin e tij si të pavlerë në situatën aktuale politike dhe institucionale, ndërsa akuzoi institucionet për mungesë serioziteti dhe përgjegjshmërie.
and then