“Balluku duhet të kishte dhënë dorëheqjen”, Nesturi: Duhet të ketë reflektim të Ramës pas vizitës në Bruksel

Analisti Plator Nesturi, i ftuar në studion e emisionit “Studio24” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me çështjen Balluku, në një kohë kur deputetja është pezulluar nga detyra si zv/kryeministre dhe ministre, ndërsa SPAK vijon procedurat për kërkesën e arrestimit të saj në Kuvend.

Sipas Nesturit, situata aktuale duket si një manovër për të fituar kohë, ndërkohë që çështja mund të ishte zgjidhur shumë më herët me një akt politik të qartë.

“Më duket si element për të fituar kohë, sepse diçka që nis nuk e zhbën dot më. Kemi harxhuar dy muaj me një çështje që mund të ishte zgjidhur me një dorëheqje, e cila nuk ka ardhur nga ana e Ballukut,” u shpreh analisti.

Ai komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se pavarësisht mungesës së një kuorumi për një vendim të qartë, efekti politik ka qenë i dukshëm.

“Ky vendim, edhe pse pa një qëndrim të prerë, ka arritur që një anëtar i akuzuar i qeverisë të japë dorëheqjen nga funksioni, të paktën përmes pezullimit,” tha Nesturi.

Analisti ngriti shqetësimin se rasti Balluku nuk është i vetmi, duke përmendur se edhe në institucione të tjera ka drejtues ndaj të cilëve janë vendosur masa shtrënguese, por që vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë.

“Ajo që duhet të ishte pjesë e debatit është vendosja e normave. Kur kemi akuza penale të rënda, duhet të ketë një normë që zbatohet dhe që çon automatikisht në dorëheqje,” theksoi ai.

Nesturi shtoi se kishte pritur që vetë Balluku të merrte një vendim personal për t’u larguar nga detyra, çka sipas tij do të kishte ulur tensionet politike.

“Prisja që edhe sot apo dje Balluku të jepte dorëheqjen. Kjo do të ishte një çlirim i gjithë këtij debati të madh, sepse sot ajo është e pezulluar, jo e dorëhequr,” deklaroi analisti.

Ai kritikoi gjithashtu klasën politike për fokusin e saj në retorikë, duke lënë pas interesin publik dhe funksionimin real të drejtësisë.

“Politika është marrë me interesat e veta dhe me retorikën e saj, por jo për t’i shërbyer opinionit publik. Të gjithë thonë se po dëmtohet drejtësia, por nuk ka pasur asnjë ndihmë reale,” u shpreh Nesturi.

Sipas tij, Balluku duhet të kishte komunikuar vetë publikisht, pa pasur nevojë për mbrojtje nga të tjerët, ndërsa situata kërkon qetësi dhe distancim politik.

Në fund, analisti komentoi vizitën që kryeministri Edi Rama po bën në Bruksel.

“Fakti që sot Rama është në Bruksel dhe ka pasur takime edhe për këtë çështje, mendoj se pas kthimit të tij duhet të ketë një reflektim tjetër,” përfundoi Nesturi.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×