
Avokati Erjon Kanxheri, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar përplasjen mes biznesit dhe administratës tatimore në kuadër të amnistisë dhe paqes fiskale, duke theksuar se organi tatimor është ekzekutori i mbledhjes së të ardhurave për buxhetin e shtetit, por duhet të veprojë brenda kufijve të ligjit.
Sipas Kanxherit, thelbi i debatit lidhet me burimin e vullnetit për të mbledhur një detyrim tatimor. “Nëse detyrimi është falur nga ligji, me çfarë të drejte një inspektor mund të vendosë sekuestro ndaj biznesit?”, u shpreh ai.
Ai kujtoi se, sipas legjislacionit në fuqi, administrata tatimore ka të drejtë të ushtrojë kontrolle vetëm për pesë vitet e fundit. “Jemi në vitin 2026. Tatimori ka të drejtë të kontrollojë vetëm pesë vite mbrapa. Nuk ka vend për interpretim”, theksoi avokati.
Kanxheri nënvizoi se çdo tatimpagues që ndjen se është cenuar nga veprimet e administratës tatimore, qoftë në kuadër të amnistisë apo të paqes fiskale, duhet t’i drejtohet gjykatës. Në rastet kur ka një njoftim për detyrim tatimor, ai sugjeroi ndjekjen e procedurës së apelimit tatimor, nëse akti është i ankimueshëm.
Megjithatë, ai evidentoi një problem praktik: për shumë akte administrative nuk funksionon realisht mekanizmi i apelimit tatimor. “Në disa raste, ankimi nuk shqyrtohet. Nëse një punonjës i sektorit të borxhit ndërmerr një veprim dhe ti ankohesh, apeli tatimor nuk e merr në shqyrtim. Ka vetëm një shqyrtim të brendshëm, dy herë nga vetë tatimorët”, deklaroi ai.
Sipas Kanxherit, zgjidhja mbetet rruga gjyqësore, duke theksuar nevojën që bizneset të mbrojnë të drejtat e tyre përballë çdo veprimi që bie ndesh me ligjin.
and then