
Situata në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas vijon të mbetet alarmante, ndërsa ende nuk ka një afat konkret se kur do të nisë ndërtimi i segmentit të ri prej 1.3 kilometrash, i cili pritet të rikthejë normalitetin në qarkullimin e automjeteve pas shkatërrimit katastrofik në zonën e Arrave të Gurrës, në Dragostunjë.
Prej ditësh, qarkullimi nga Tirana drejt Juglindjes së vendit dhe anasjelltas është i pamundur, duke krijuar një situatë kaotike për qytetarët, bizneset dhe transportin e mallrave. Megjithatë, pavarësisht rëndësisë strategjike të këtij aksi, ende nuk dihet se kur do të fillojnë realisht punimet dhe kur mund të përfundojë ndërhyrja emergjente.
Drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), z. Ami Kozeli, deklaroi dje se do të nisë puna për ndërtimin e një segmenti të ri alternativ në afërsi të zonës ku ndodhi rrëshqitja masive. Sipas tij, aksi i ri 1.3 km do të ndërtohet përgjatë hekurudhës, në shtratin e lumit Shkumbin, si zgjidhje emergjente për të rikthyer lidhjen me akset kombëtare Tiranë -Dragostunjë dhe Dragostunjë -Hotolisht.
Plani parashikon:
-Prishjen e urës ekzistuese për të lehtësuar ngarkesën në segmentin e rrëshqitur;
-Ndërtimin e një skarpate natyrale stabilizuese;
-Sistemimin dhe disiplinimin e ujërave sipërfaqësore në gjithë zonën e planit të rrëshqitjes.
“Ky aks është me rëndësi strategjike dhe do të rikthehet në funksion të plotë pas sigurimit të situatës”, u shpreh Kozeli. Por deklarata nuk u shoqërua me një kalendar të qartë punimesh, duke lënë qytetarët në pritje dhe pasiguri totale.
Mos përcaktimi i një afati konkret kohor për nisjen e punimeve ngre pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e emergjencës dhe koordinimin institucional. Çdo ditë që kalon pa ndërhyrje të dukshme në terren përkthehet në kosto ekonomike, vonesa, rrezik për komunitetet përreth dhe bllokim të një prej akseve më të rëndësishme kombëtare.
Aksi Librazhd–Prrenjas nuk është thjesht një rrugë lokale – ai përfaqëson një arterie jetike që lidh qendrën me Juglindjen e vendit. Derisa të jepet një datë konkrete për nisjen dhe përfundimin e segmentit të ri 1.3 km, normaliteti në qarkullim mbetet vetëm një premtim, jo një realitet.
and then