Dita e Verës/ Argëtim, muzikë dhe traditë! 14 Marsi në Mallakastër plot ngjyra dhe atmosferë festive

Atmosfera festive e Ditës së Verës ka përfshirë edhe këtë vit Mallakastrën, duke e kthyer qytetin në një qendër të gjallë argëtimi, muzike dhe tradite.

Përgjatë bregut të liqenit të Ballshit, qytetarë të të gjitha moshave janë bërë pjesë e aktiviteteve të shumta, duke i dhënë festës një gjallëri të veçantë.

Programi i kësaj dite ka nisur që në orët e para të mëngjesit me Panairin e shkollave “Art dhe Zeje”, ku nxënësit kanë ekspozuar punimet e tyre kreative dhe kanë sjellë një copëz tradite dhe talenti për vizitorët.

Festa ka vijuar me aktivitete sportive si ndeshje volejbolli dhe gara me biçikleta, të cilat kanë sjellë energji dhe emocione për të rinjtë dhe sportdashësit.

Një nga momentet më të veçanta ka qenë ekspozita e makinave retro dhe parada e motorrëve nga “Vespa Club”, që ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve dhe vizitorëve. Mes pjesëmarrësve në garën e motorrave retro ishte edhe aktori Marjus Dervishi, i cili u shpreh i emocionuar nga adrenalina dhe atmosfera festive që ofron Dita e Verës në Mallakastër.

Në këtë festë nuk kanë munguar edhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror, mes tyre kryebashkiaku Qerim Ismailaj dhe deputeti i zonës Klevis Jahaj, të cilët janë bashkuar me qytetarët për të ndarë gëzimin e kësaj dite simbolike.

Koncerti me këngëtarë live, aktivitetet kulturore dhe gastronomia tradicionale kanë plotësuar mozaikun e kësaj feste, duke krijuar një atmosferë plot ngjyra, muzikë dhe buzëqeshje.

Kështu, 14 Marsi në Mallakastër është shndërruar në një ditë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit, një festë që bashkon komunitetin dhe sjell më pranë traditën, kulturën dhe energjinë e pranverës.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×