
Eksperti i ekonomisë dhe koordinatori i programit ekonomik në PD, Dorian Teliti, ka kritikuar projektin për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, duke ngritur shqetësime për kostot, transparencën dhe mënyrën e realizimit të tij.
I ftuar në studion e News24, Teliti u shpreh se sipas tij qeveria po ndjek një qasje që shkatërron infrastrukturën ekzistuese për të ndërtuar projekte të reja përmes tenderave që ai i cilësoi klientelistë.
“E vërteta është se kemi një mentalitet destruktiv. Nuk ka pse të prishim portin aktual. Edhe kur kishim Teatri Kombëtar i Shqipërisë, e prishën. E njëjta gjë po ndodh edhe me shumë vepra apo iniciativa të tjera”, deklaroi ai.
Sipas Telitit, dosja që lidhet me projektin e portit në Porto Romano është sekuestruar nga prokuroria, ndërsa shtoi se ende nuk ka një pasqyrë të qartë për kostot reale të ndërtimit të portit të ri.
Ai theksoi gjithashtu se fakti që Porto Romano është pjesë e Korridori VIII dhe se ende nuk është bërë lidhja e plotë me infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, ngre pikëpyetje mbi planifikimin e projektit.
Teliti ngriti dyshime edhe për mënyrën se si do të jepen shërbimet në portin e ri, duke theksuar se sipas tij ato duhet të jepen përmes një gare të hapur dhe transparente mes operatorëve.
“Fakti që kemi një port që mund të zgjerohej, pse duhet ta mbyllim atë dhe të ndërtojmë një port të ri që do financohet nga taksapaguesit. Vetëm faza e parë kushton rreth 400 milionë euro”, tha ai.
Sipas tij, nëse investimi do të realizohej nga aktorë privatë, vendimmarrja do të ishte e tyre, por në momentin që projekti financohet nga shteti, atëherë duhet të justifikohet plotësisht ekonomikisht.
Teliti paralajmëroi se projekti mund të arrijë një kosto totale prej 2 deri në 3 miliardë eurosh, ndërsa shtoi se mungesa e transparencës nga fillimi deri në fund e bën atë të duket si një projekt i paracaktuar që rrezikon të përfitojë vetëm një numër i vogël personash dhe jo qytetarët.
and then