“Milionat e kokainës drejt Dubait”/ “Në Shënjestër” zbardh skemën e pastrimit të parave të Franc Çopjas, “llogaritari” i tij transferoi miliona në Turqi, Bolivi dhe…

Emisioni “Në Shënjestër”News24 hedh dritë mbi rrjetin financiar të organizatës së drejtuar nga Franc Çopja, duke zbuluar transfertat e mëdha të parave drejt Dubait dhe vendeve të tjera, të siguruara nga aktiviteti kriminal.

Dokumentari nxjerr në pah rolin kyç të Maklen Micit, i cili shërbente si njeriu i besuar dhe “llogaritar” i Çopjas për pastrimin e parave. Sipas të dhënave të siguruara nga komunikimet në Sky ECC, ai ka transferuar miliona euro në Turqi, Dubai dhe Bolivi, si dhe sasi të konsiderueshme floriri, duke përfituar komisione të larta për çdo operacion.

Hetimet tregojnë se vetëm në një periudhë disa mujore, janë kryer transferta të shumta milionëshe drejt Dubait, përfshirë edhe dërgesa direkte nga Tirana, të koordinuara përmes personave të besuar të rrjetit. Në disa raste, brenda pak ditësh janë lëvizur miliona euro, çka tregon kapacitetin financiar dhe organizimin e avancuar të grupit kriminal.

Dokumentari thekson se këto para investoheshin kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe asete luksi, si mënyrë për të siguruar qëndrimin në Dubai dhe për të fshehur origjinën e tyre. Po ashtu, dëshmi të tjera tregojnë për tentativa të Çopjas për të investuar edhe në Shqipëri përmes personave të tretë, për të shmangur hetimet.

Ekspertët vlerësojnë se fuqia financiare e grupeve kriminale shqiptare ka arritur nivele të tilla që ndikojnë edhe në tregun ndërkombëtar të kokainës, ndërsa sektorë si ndërtimi dhe turizmi mbeten më të ekspozuar ndaj pastrimit të parave.

Pjesë nga dokumentari:

Vetëm shumat e transferuara në Dubai për llogari të Franc Çopjas, pa përfshirë transfertat në shtete të ndryshme, kapin shifrën e miliona eurove. Siç është edhe ky episod i zbardhur nga Sky Ecc. Ku personazhi që merret me pastrimin e parave te Franc Çopjas, apo që shërbeu si llogaritari i tij, është Maklen Mici, sot i arrestuar nga policia.

Sky Ecc: “Nga kqyrja dhe analiza e komunikimeve për periudhën 21 Maj 2020 deri më datë 8 Mars 2021, rezulton se Maklen Mici ka transferuar për llogari të Franc Çopjas apo njohur si Franc Gergely, në total 7 mln euro në Stamboll, 7.9 mln euro në Dubai, 8 mln euro në Bolivi, si dhe 140 kg/lingota floriri në vlerën 7.2 mln euro dorëzuar Dorian Dylit në Tiranë.

Mici i cili për secilën nga transfertat e kryera për llogari të shtetasit Franc Gergely (Çopja), ka përfituar komision në përqidje sipas shteteve, përkatësisht në Itali 2% komision, Turqi 0.5 %, Bolivi 9% si dhe Dubai 1-1.2% komision.

Përllogaritur kjo në një vlerë totale jo më pak se 145 mijë euro dhe 720 mijë dollarë amerikanë”

Fatjona Mejdini – “Ata kanë mundësi që paratë e tyre të fituara nga aktiviteti kriminal të arrijnë që t’i fusin në sistemin financiar.

Sigurisht që ata bëjnë një jetë luksoze, në kuptimin e blerjeve të pasurive të paluajtshme, e blerjes së jahteve të ndryshme, makinave shumë të shtrenjta. Por kjo ndonjëherë nuk vjen si nevojë, por vjen si domosdoshmëri në mënyrë që ata të blejnë qëndrimin e tyre në Dubai. Sigurisht që ata duhet të investojnë. Sa më shumë jahte, sigurisht do merren në konsideratë, përsa i përket procedurave të ndryshme që ky shtet do të ketë ndaj tyre”.

Por këto nuk do të ishin të vetmet transferta që Maklen Mici do të kryente posaçërisht në Dubai për llogari të Franc Çopjas.

Pasi në vazhdim mbështetur në bisedat në Sky Ecc, Mici me kërkesë të Çopjas, pasi ka biseduar me njeriun e besuar të këtij të fundit, të identifikuar si ‘Barcelona’, i dërgon klientit të tij në Dubai në dhjetorin e vitit 2020, 3 transaksione nga Tirana në vlerën 2 milion euro.

Ndërsa në periudhën Qershor-Tetor 2020, Franc Çopja, në bashkëpunim me persona të paidentifikuar nga hetimet, i asistuar nga Maklen Mici, mësohet se transferoi nga Tirana në Stamboll, në vetëm 12 ditë, sasinë prej 7 mln euro.

Transferta për të cilat Maklen Mici mbajti një komision prej 0.5 %, me vlerë 35 mijë euro. Kurse në periudhën Maj-Shtator 2020, vetë Franc Çopja, i asistuar edhe këtë herë nga Maklen Mici, ka tërhoqi dhe transferoi në Dubai, brenda 9 ditëve, shumë prej 5.9 mln euro.

Transferta për të cilat Maklen Mici mbajti një komision 1-1.2%, me vlerë 70 mijë euro.

Fabian Zhilla – Sasitë janë të konsiderueshme të fuqisë financiare. Ata kanë arritur sot, krimi i organizuar, nga hetimet që janë bërë publike, flasim për shifrat, janë të konsiderueshme, pasi kanë arritur te grupet kriminale shqiptare  të cilat ndikojnë edhe në bursën e çmimit të kokainës.

Por fakti që Franc Çopja kishte investuar në Dubai provohet edhe në një tjetër rrëfim përpara drejtësisë. Arben Lamçja i cili në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, mohoi përfshirjen e tij në faktet penale të atribuara nga organi i akuzës, tha se e njihte personalisht shtetasin Franc Çopja. Dhe se aty nga vitet 2020 ky i fundit i kishte kërkuar të blinte një vilë në Tiranë. Por duke qenë se ishte në lupën e drejtësisë kishte kërkuar që këtë vilë ta blinte Lamçja.

Arben Lamçja- “Aty nga vitet 2020-2021, Franci erdhi dhe më takoi te shtëpia im, ku më propozoi që nëpërmjet meje të blinte vilën e shtetasit A.O. Unë fola me A.O dhe më tha se do ta shiste pronën, pasi ishte bllokuar nga fusha e ndërtimit. Por gjatë bisedës pasi bëmë pazar ai më tha që është i rregullt dhe çdo gjë e do të deklaruar. Vetë A. O foli me Francin, por ky i fundit i tha se po priste të shiste një pronë në Dubai, pasi investonte dhe aty, dhe pasi ta shiste do vinte të blinte pronën në Tiranë.  Por edhe pse pritëm Franci nuk erdhi dhe A.O ndërroi mendje dhe nuk donte ta shiste më vilën” Fabian Zhilla – “Sektorët më të ekspozuar  janë ato që lidhen me ndërtimin  dhe më pasuritë e paluajtshme, turizmin  dhe kjo pasi duke qenë mënyra e kryerjes se transaksionit dhe fshehjes së pronarit të vërtetë, ju jep mundësinë dhe lehtësinë për të kryer këtë lloj investimi.”



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×