
Dy ditë pas takimit me furnizuesit e naftës, Qeveria ka vendosur të rikthejë Bordit të Transparencës, i cili do të caktojë çmimet tavan për hidrokarburet. Burimet për News24 konfirmuan se vendimi për ngritjen e bordit pritet të merret në mbledhjen e qeverisë javën që vjen.
Ndërkohë, në një mbledhje të zhvilluar vonë në mbrëmjen e 19 marsit, qeveria vendosi të ulejë akcizën me 20%, që aktualisht është 38.8 lekë për litër. Ndryshimi i qendrimit të qeverisë lidhur me ngritjen e bordit erdhi pasi, në 24 orët e fundit, çmimi i naftës u rrit duke shkuar në 214 lekë/litri.
Në mbledhjen e qeverisë u përcaktuan gjithashtu marzhet e fitimit për furnizuesit e naftës, ku fitimi pritet të jetë 3 lekë për tregtinë me shumicë dhe 12 lekë për tregtinë me pakicë. Gjatë takimit me grosistët e naftës, përfaqësues të qeverisë thanë se nuk ishte e nevojshme rikthimi i Bordit të Transparencës, me argumentin se që nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, rritja e çmimit ka qenë e moderuar. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama deklaroi në këtë takim se nuk ka vend për rishikim të taksave, por tashmë pritet ulja e taksës së akcizës me 20%.
Për të monitoruar çmimin e karburanteve, qeveria ka ngritur një Task-Forcë me qëllim shmangien e abuzimit me çmimet. Ndërkaq, kërkesa për rishikimin e taksave është bërë nga Konfindustria, pasi në një litër naftë rëndojnë katër taksa: akciza, TVSH-ja, taksa e karbonit dhe taksa e qarkullimit.
Për herë të parë, Bordi i Transparencës u ngrit gjatë krizës së luftës në Ukrainë në vitin 2022, duke vendosur çmim tavan për naftën dhe nënproduktet e saj, për të frenuar abuzimin nga tregtarët e hidrokarbureve.
and then