
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku është shprehur se çmimet e larta në Shqipëri nuk lidhen vetëm me nivelin e taksave, por me një sistem ekonomik dhe fiskal të deformuar, referuar situatës së rritjes së çmimeve në vend pas rritjes së çmimit të naftës.
Sipas saj, sistemi aktual i taksave është i ndërlikuar dhe i padrejtë, duke favorizuar një pakicë me privilegje, ndërsa rëndon mbi qytetarët dhe bizneset e ndershme. Ajo thekson se rritja e taksave ndikon në çmime, por ulja e tyre nuk mjafton për t’i ulur ato, për shkak të mungesës së konkurrencës reale në treg.
Tabaku nënvizon se problemi kryesor qëndron tek oligopolet, korrupsioni dhe lidhja mes politikës dhe biznesit, të cilat kanë krijuar një treg të kontrolluar dhe jo funksional.
Në përfundim, ajo thekson se zgjidhja kërkon reformë të thellë në qeverisje, rritje të konkurrencës dhe një sistem fiskal më të drejtë, duke argumentuar se “problemi nuk është vetëm taksa e lartë, por qeverisja e keqe”.
Postimi i Jorida Tabakut:
A janë taksat shkaku i çmimeve të larta, apo thjesht një “morfine” që nuk trajton problemin real?
Ky është një debat i vjetër, por sot më aktual se kurrë. Dhe si çdo debat serioz, nuk mund të reduktohet në përgjigje të thjeshta. Sepse e vërteta është më komplekse: sistemi ekonomik që po vuajnë sot shqiptarët nuk është produkt i një faktori të vetëm, por i një kombinimi politikash dhe vendimmarrjesh, ku politikat fiskale zënë një vend të rëndësishëm.
Sistemi fiskal në Shqipëri nuk është as i thjeshtë dhe as i drejtë. Ai është ndërtuar si një rrjet i ndërlikuar, i mbivendosur dhe shpesh i paqartë, që krijon hapësira për shmangie dhe abuzim. Në vend që të jetë një mekanizëm që shpërndan drejt barrën tatimore, ai shpesh funksionon si një sistem që favorizon ata që kanë akses dhe informacion, ndërsa rëndon mbi ata që punojnë dhe nuk kanë mundësi të shmangin detyrimet. Ligje me përjashtime selektive, skema që u shërbejnë pakicave dhe një praktikë e konsoliduar e miratimit të tyre pa debat real kanë prodhuar një realitet ku drejtësia fiskale mbetet më shumë parim sesa praktikë.
Në këtë sistem, puna shpesh ndëshkohet më shumë se privilegji. Një qytetar që punon dy punë përballet me një barrë fiskale më të rëndë, ndërsa struktura të caktuara përfitojnë nga hapësirat dhe përjashtimet që vetë sistemi krijon. Kjo nuk është vetëm padrejtësi sociale; është një deformim i vetë logjikës ekonomike mbi të cilën duhet të ndërtohet zhvillimi.
Megjithatë, analiza nuk mund të ndalet këtu. Është e vërtetë që rritja e taksave reflektohet pothuajse menjëherë në rritje çmimesh. Është po aq e vërtetë që ulja e tyre nuk përkthehet domosdoshmërisht në ulje të çmimeve, sidomos kur tregu nuk funksionon siç duhet. Por kjo nuk është një arsye për të relativizuar rolin e politikave fiskale. Përkundrazi, është një tregues i qartë se kemi një problem më të thellë: një treg të deformuar, ku konkurrenca nuk është reale dhe ku çmimet nuk përcaktohen nga dinamika e lirë e ofertës dhe kërkesës, por nga fuqia e pak aktorëve.
Kjo na çon në një përfundim të rëndësishëm: politikat fiskale nuk mund të trajtohen të ndara nga mirëqeverisja. Në një shtet që funksionon, taksat janë një instrument zhvillimi, një mjet për të krijuar barazi dhe për të mbështetur rritjen ekonomike. Në një shtet të kapur, ato kthehen në barrë, sepse nuk shoqërohen me institucione që garantojnë konkurrencë, transparencë dhe rregulla të barabarta për të gjithë.
Kur korrupsioni është i pranishëm në nivel shtetëror dhe institucional, taksat humbasin funksionin e tyre. Ato nuk arrijnë më të ndikojnë në mënyrë të drejtë në ekonomi, sepse çdo politikë, sado e mirë në letër, deformohet në zbatim. Në këtë realitet, çmimet rriten dhe nuk bien, bizneset e ndershme penalizohen dhe qytetarët përballen me një barrë gjithnjë e më të rëndë.
Prandaj, debati nuk duhet të jetë nëse taksat janë apo jo problemi i vetëm. Debati duhet të jetë pse kemi ndërtuar një sistem ku as politikat fiskale nuk funksionojnë siç duhet dhe as tregu nuk është i lirë. Sepse pa konkurrencë reale, ulja e taksave nuk mjafton. Por pa një sistem të drejtë fiskal, padrejtësia vetëm thellohet.
Ky sistem nuk rregullohet me masa të izoluara. Ai kërkon një parim të ri ndershmërie dhe jo vetëm në politikat fiskale, por edhe në mënyrën se si i qasemi tregut dhe strukturave oligopolistike. Beteja kundër oligopoleve nuk fitohet me retorikë, por me krijimin e kushteve reale të konkurrencës: me një treg të hapur, me rregulla të barabarta dhe me një shtet që nuk zgjedh fituesit.
Kjo do të thotë më shumë se thjesht ndërhyrje administrative. Do të thotë të rritet fuqia reale e konsumit, të mbështetet prodhimi vendas, duke nisur nga bujqësia, dhe të ulen kostot për biznesin e ndershëm. Sepse vetëm një ekonomi që prodhon dhe konkurron mund të ushtrojë presion real mbi çmimet.
Askush nuk pretendon se ulja e taksave është një zgjidhje magjike. Por është po aq e gabuar të thuash se ajo nuk ka efekt. Në një sistem të deformuar, çdo lehtësim fiskal mund të jetë i pjesshëm. Por për qytetarin dhe biznesin, një barrë më e ulët do të thotë më shumë hapësirë, më shumë mundësi dhe më shumë frymëmarrje ekonomike.
Në thelb, beteja kundër oligopoleve është një betejë për mënyrën se si menaxhohet shteti. Shumica e këtyre strukturave nuk kanë lindur nga konkurrenca e lirë, por nga koncesione selektive, përqendrim tenderash dhe një lidhje e ngushtë mes politikës dhe biznesit. Fuqia e tyre është produkt i kapjes së shtetit dhe i një sinergjie ku një qeveri e dobët ose e kapur dhe një biznes i privilegjuar ushqejnë njëri-tjetrin.
Kjo është arsyeja pse kemi sot një treg të deformuar dhe një sistem fiskal të padrejtë. Nuk janë dy probleme të ndara. Janë dy anë të së njëjtës monedhë.
Prandaj zgjidhja është e qartë: duhet të ndryshojë qeverisja. Duhet një reformë e thellë dhe e plotë që të çlirojë ekonominë nga kjo logjikë përqendrimi dhe padrejtësie, dhe të rikthejë konkurrencën si parim themelor.
Vetëm atëherë ulja e taksave nuk do të shihet si “morfine” sepse në fund, sëmundja nuk është taksa e lartë. Sëmundja është qeverisja e keqe.
and then