Kishte pikasur defektin dje dhe u kthye për ta rregulluar, zbardhen detaje nga vdekja e elektricistit në Pogradec

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar në fshatin Zërvaskë të Pogradecit, ku humbi jetën elektricisti Agim Beqiri, rreth 60 vjeç. Sipas informacioneve paraprake dhe banorëve jashtë kamerave, Beqiri kishte evidentuar një defekt në rrjetin e ndriçimit rrugor që prej ditës së djeshme dhe ishte rikthyer sot për të kryer riparimin, konkretisht ndërrimin e një llambe.

Dyshohet se gjatë punës në shtyllë elektrike, ku ndodheshin dy linja tensioni, ai ka ndërprerë vetëm njërën prej tyre, ndërsa linja tjetër ka mbetur aktive. Pikërisht kjo linjë dyshohet se ka shkaktuar kontaktin fatal me rrymën elektrike.

Sipas të njëjtave burime, elektricisti ka qëndruar për disa minuta pa shenja jete në shtyllë, ndërsa shërbimet e emergjencës kanë ndërhyrë për të bërë të mundur zbritjen e trupit të pajetë, i cili ishte i lidhur me pajisjet e sigurisë.

Agim Beqiri prej vitesh punonte si elektricist pranë Bashkisë së Pogradecit dhe merrej me mirëmbajtjen e rrjetit të ndriçimit rrugor në zonat rurale të bashkisë.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për të përcaktuar me saktësi shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×