
Nevil Dede po tregon se dëshiron të përfitojë nga të gjithë futbollistët që ka në dispozicion. Në 11 javët e para të Abissnet Superiore, trajneri i Egnatias ka aktivizuar plot 26 lojtarë, duke mos lënë thuajse askënd pa provuar në fushë.
Një tregues i qartë i besimit që tekniku kryeqytetas ka te grupi dhe i mënyrës se si po menaxhon një sezon me ngarkesë të madhe, mes kampionatit dhe Europës. Kjo qasje i jep skuadrës më shumë alternativa dhe e mban konkurrencën të hapur në çdo repart, duke bërë që secili futbollist të ndihet pjesë e rëndësishme e projektit.
ROTACIONI NË PORTË – Një nga detajet që bie më shumë në sy është alternimi mes dy portierëve. Mario Dajsinani ka luajtur në gjashtë ndeshje, ndërsa Levan Tandilashvili në pesë të tjera. Dede po ruan kështu të dy gardianët në ritëm, duke pasur dy alternativa të gatshme për çdo moment, edhe për shkak të nevojës për të menaxhuar ngarkesën në dy kompeticione. Një zgjedhje që tregon se konkurrenca nuk është vetëm në repartet e tjera, por nis që nga porta, ku të dy portierët po marrin hapësirën e tyre për të kontribuar.
“TRE MUSKETIERËT” – Mes 26 futbollistëve të aktivizuar, vetëm tre kanë qenë në fushë në të gjitha 11 ndeshjet: Numan Ajeti, Daniel Adjesa dhe Alesandro Albaneze. Ata janë emrat më të qëndrueshëm në zgjedhjet e Dedes dhe kanë fituar një rol të rëndësishëm në planet e trajnerit. Vazhdimësia e tyre në formacion tregon rëndësinë që kanë në skemat e teknikut, por edhe besueshmërinë që kanë fituar falë paraqitjeve të tyre.
Në një skuadër ku konkurrenca është e hapur dhe minutat shpërndahen mes shumë lojtarëve, prania e tyre në çdo takim tregon besimin që gëzojnë. Dede po kërkon të ketë një grup të plotë dhe alternativa në çdo repart, sepse në një sezon të gjatë nuk mjaftojnë vetëm 11 titullarë. Egnatia synon të jetë gati me të gjithë lojtarët, sa herë që trajneri ka nevojë për ta.
and then