“Përgjimet janë vetëm maja e ajsbergut”, Kalaja: Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët! SPAK duhet ta arrestojë

Ish-kandidati i Partisë Demokratike për deputet, Aulon Kalaja, ka komentuar hetimet që po zhvillon SPAK ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke kërkuar që ndaj saj të merret menjëherë masë sigurie arresti.

I ftuar në studion e News24, Kalaja deklaroi se Balluku “përbën rrezik të vazhdueshëm për prishjen e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve”, për shkak të pozicionit të lartë që mban në qeveri.

“Balluku duhet të arrestohet sepse është potencial për të prishur provat. Nëse u arrestua Veliaj për arsye të tilla, Balluku është një rrezik permanent për të prishur prova apo për të intimiduar dëshmitarë, duke qenë një person me kaq fuqi në rolin e ministres dhe zv/kryeministres,” tha Kalaja.

Sipas tij, hetimet ndaj Ballukut nuk kufizohen vetëm tek çështja e tunelit të Llogarasë, por përfshijnë edhe “procedime të tjera në SPAK” që lidhen me projekte infrastrukturore të ndryshme. “Kam përshtypjen se ajo ka 11 procedime në SPAK. Këto që po dalin janë vetëm maja e ajsbergut,” shtoi ai.

Kalaja akuzoi gjithashtu qeverinë për heshtje dhe kërkoi që kryeministri Edi Rama të shprehet publikisht për rastin Balluku.

“Minimalisht Rama duhet të mbante një qëndrim dhe ta shkarkonte nga detyra. Nuk mund të premtojmë integrim në BE, ndërsa disa zyrtarë të qeverisë janë nën hetim apo arrest,” u shpreh ai.

Në vijim, ai kritikoi opozitën për mungesë reagimi ndaj zhvillimeve të fundit, duke thënë se protestat duhet të ishin organizuar menjëherë pas shpërthimit të skandalit.

“Opozita po humb kohë pa bërë një protestë. Nuk ka kuptim të bëhen protesta me kalendar kur vendi përfshihet nga skandale. Qytetarët duhet të ishin në shesh,” theksoi Kalaja.

Ish-kandidati demokrat gjithashtu komentoi marrëdhëniet e opozitës me mazhorancën në kontekstin e reformës zgjedhore, duke paralajmëruar kundër çdo marrëveshjeje politike pa analizë të brendshme.

“Nuk mund të bëjmë kod zgjedhor me Ramën pa bërë më parë analizën e zgjedhjeve të 11 majit. Sa herë kemi bërë marrëveshje me Ramën, ka fituar ai,” tha Kalaja, duke shtuar se opozita duhet të rikthehet te format e forta të rezistencës politike.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×