Presidenti Begaj: Gjuha shqipe, identiteti ynë kombëtar dhe trashëgimia që duhet ta mbrojmë me përkushtim

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Gjirokastër. Në kuadër të ditëve të shënuara të nëntorit, Presidenti Begaj u ftua nga shoqata atdhetare Labëria – Nder i Kombit në takimin mbarëkombëtar për gjuhën shqipe, një aktivitet i organizuar në bashkëpunim me universitetin “Eqerem Çabej”. Gjatë kësaj vizite Presidenti Begaj përcolli mesazhe të rëndësishme për sa i përket ruajtjes dhe pasurimit të gjuhës shqipe.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit vlerësoi domethënien e thellë të gjuhës shqipe si “shpirti dhe ashti i kombit shqiptar”, duke e lidhur aktivitetin me datat e shenjta të muajit të nëntorit në javën e alfabetit.
Presidenti i Republikës vlerësoi kontributin e deritanishëm për ruajtjen, përcjelljen dhe pasurimin e gjuhës shqipe, ndërsa bëri apel për një strategji të re për mësimin shqip të fëmijëve që jetojnë jashtë.
Presidenti Begaj theksoi kontributin e figurave të shquara gjirokastrite, si Eqerem Çabej dhe Ismail Kadare në studimin, pasurimin dhe lartimin e shqipes, duke përmendur shprehjen e Kadaresë se “Gjuha është atdheu”.
Presidenti i Republikës u ndal veçanërisht në rolin historik të Kongresit të Manastirit në unifikimin e alfabetit shqip.

“Kongresi i Manastirit i vitit 1908 mbetet një ndër momentet më të ndritura të historisë shqiptare. Pas Kuvendit të Lezhës dhe Lidhjes së Prizrenit, ishte Kongresi i Manastirit që përcaktoi rrugën e bashkimit shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve përmes njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Me atë vendim u hodhën themelet e identitetit tonë modern dhe u ndez drita e një bashkimi që do të përgatiste pavarësinë”, – theksoi Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e mësuesve, prindërve, shoqatave kulturore dhe klerikëve që po mbajnë gjallë gjuhën amtare në Diasporë. “Ata janë ambasadorët e gjuhës sonë në botë dhe meritojnë mirënjohjen e përjetshme të kombit tonë”, – u shpreh Presidenti i Republikës, duke theksuar se përpjekjet e tyre kanë nevojë për mbështetje më të fortë, për një vizion të përbashkët e të qëndrueshëm. “Ne duhet të jemi kujdestarët e vetëdijshëm të gjuhës sonë, ta mbrojmë me dashuri dhe urtësi, duke e përditësuar dhe duke e përshtatur me kohën”, – u shpreh Presidenti Begaj.

Në mbyllje, Presidenti i Republikës falënderoi organizatorët dhe universitetin “Eqerem Çabej” për kontributin në promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, duke theksuar se “ruajtja e shqipes është ruajtja e vetë atdheut”.
Kreu i Shtetit u prit nga Kryebashkiaku Flamur Golemi dhe autoritetet vendore, e po ashtu zhvilloi vizita në Shtëpinë Muze të Ismail Kadaresë, në Obeliskun e Arsimit dhe në kalanë e Gjirokastrës.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×