
Organizata italiane, ActionAid ka denoncuar në Gjykatën e Llogarive në Itali shpenzimet sipas saj të ekzagjeruara dhe të pajustifikueshme të ndërtimit dhe operimit të qendrave për emigrantët në Shëngjin e Gjadër, produkt i marrëveshjes Rama-Meloni.
ActionAid Italia, një organizatë joqeveritare në Itali, i është drejtuar Gjykatës së Llogarive (Corte dei Conti) me një ankesë 60-faqëshe dhe Autoritetit Kombëtar Kundër Korrupsionit, ANAC me një raport të veçantë, ku kërkon hetim për “shpërdorim të pajustifikueshëm të burimeve publike” në projektin e qendrave të paraburgimit për migrantët në Shqipëri, pjesë e protokollit Itali–Shqipëri.
Duke u bazuar në të dhënat e mbledhura nga projekti “Trattenuti” që organizata bën në bashkëpunim me Universitetin e Barit, ActionAid i kërkon Prokurorisë Rajonale të Lazios të vlerësojë nisjen e një hetimi për dëm ndaj financave publike. Njëkohësisht, Autoriteti Kombëtar Kundër Korrupsionit (ANAC) është njoftuar për parregullsi të dyshuara në dhënien e kontratës së menaxhimit të qendrave me vlerë 133 milionë euro.
Në denoncim, organizata argumenton se “paratë publike u devijuan nga shëndetësia, drejtësia, mirëqenia dhe shërbimet, si dhe nga fondet e menaxhimit të emergjencave” për të mbajtur në këmbë një skemë që e cilëson “çnjerëzore, joefektive dhe të papajtueshme me ligjin”. Organizata thotë se humbja për financat publike “nuk mund të justifikohet si një gabim i thjeshtë teknik”.
Gjetjet e organizatës u dokumentuan më herët nga një investigim i BIRN, që vuri në dukje se fondet për ndërtimin e qendrave në Shëngjin e Gjadër u rritën nga 39.2 milionë euro në mbi 74 milionë, ndërsa kostoja mesatare për një shtrat në Shqipëri arriti rreth 72 mijë euro, gati 11 herë më shumë se në qendrën model të Modicës në Itali. Investigimi po ashtu gjeti se e gjithë procedura u krye me negocim të drejtpërdrejtë dhe pa garë.
Qendrat e shumëkritikuara nga organizatat e të drejtave të njeriut nuk e kanë kryer funksionin për të cilin u ngritën. Të menduara fillimisht si struktura “offshore” për shqyrtimin e kërkesave për azil, ato funksionojnë sot si qendra riatdhesimi, CPR, për persona që kanë qenë në territorin italian dhe ndaj të cilëve është marrë vedim ekstradimi. Ato mbeten pjesërisht të pashfrytëzuara, ndërsa ka raportime për vetëdëmtime e tentativa vetëvrasjeje mes të ndaluarve që u transferuan aty.
Krahas kontratës së kontestuar të menaxhimit me vlerë 133 milionë euro dhe kostove të ndërtimit, ActionAid Italia ka denoncuar edhe kostot operacionale të qendrave që sipas tyre janë dhjetra herë më të mëdha se në Itali. Organizata thotë se vetëm për transportimin mne anijen Libra u shpenzuan 2.6 milion euro, përfshi investimet për mirëmbajtjen dhe furnizimin e anijes që më pas iu dhurua Shqipërisë.
Sipas të dhënave të mbledhura nga organizata përmes kërkesave për të drejtë informimi Ministria e Brendshme ka shpenzuar 630,000 euro për transferime dhe për blerjen e teknologjive të kontrollit. Ndërkohë, një zë buxhetor tejet i lartë ka të bëjë me ushqimin dhe akomodimin për forcat e rendit.
“Ndërsa në vitin 2024 CPR-ja e Macomer (Provinca e Nuoro-s, Sardenjë) kushtoi 5,884.80 euro në ditë, në Shqipëri, për vetëm 120 orë operacione reale midis tetorit dhe dhjetorit, u shpenzuan pothuajse 18 herë më shumë, duke arritur në 105,616 euro në ditë”, thekson organizata. Sipas saj këto kosto janë në disa raste edhe 28 herë më shumë se shuma ditore e shpenzuar në CPR-në në Itali./ BIRN
and then