
Albert Cara, i mbijetuari i tërmetit të 26 nëntorit 2019, ngjarje në të cilën ai humbi 7 prej familjarëve të tij, ndërroi jetë të shtunën si pasojë e një arresti kardiak.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale i afërmi i tij, Arben Cara, i cili është drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës.
Në postimin e tij, Arbeni shkruan se humbja e familjes së Albert Carës gjatë tërmetit të nëntorit 2019 mbeti një plagë që nuk u shërua kurrë për të.
“Sot u nda nga jeta Albert Cara… një zemër që mbajti brenda dhimbjen më të madhe që mund të përjetojë një njeri. Në tërmetin tragjik të 26 Nëntorit ai humbi gjithë familjen e tij.
Një plagë që nuk u shërua kurrë. Sot, pas një ataku kardiak, Alberti u largua nga kjo botë për t’u bashkuar me engjëjt e tij në përjetësi.
Dhimbja e tij ishte e madhe, por dashuria për familjen e tij ishte edhe më e madhe. U prehsh në paqe Albert… tani je sërish pranë atyre që i deshe më shumë”, ka shkruar Arben Cara në postimin e tij në rrjetet sociale.
Familja Cara pësoi tronditjen më të madhe nga tërmeti që mori 24 jetë në Thumanë. Familja e Alberit, u shua. Bashkëshortja, Fatmira, tre fëmijët e saj, Hasani që një ditë pas tërmetit do të festonte 19-vjetorin, Almiri me të fejuarën e tij nga Korça, Stela, dhe vajzën, Elisën. Fati deshi që me Albertin dhe Lindita Carën, të ndodhte mrekullia, e të dilnin gjallë nga rrënojat pas orëve të tëra kërkimi.
Familja e Albert Carës jetonte në katin e 5 të pallatit që u shemb në Thumanë. Ndërsa nusja e xhaxhait të tij, me vajzën dhe mbesën jetonin në katin e parë të të njëjtit pallat.
and then