Tragjedia me autobusin në Zvicër, shqiptari, dëshmitar i horrorit: Një person spërkati trupin me benzinë dhe i vuri flakën vetes

Një ngjarje e rëndë është regjistruar të martën në mbrëmje në Kerzers, në kantonin e Fribourgut në Zvicër, ku një zjarr i fuqishëm shpërtheu në një autobus postar, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë personave dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Sipas autoriteteve, pesë persona të tjerë mbetën të plagosur dhe disa prej tyre u transportuan me helikopter drejt spitaleve për trajtim mjekësor. Policia bëri të ditur në një konferencë për shtyp se zjarri ishte vendosur qëllimisht, megjithatë rrethanat e sakta të ngjarjes janë ende duke u hetuar. Autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse bëhet fjalë për një sulm terrorist.

Dëshmitarët okularë raportojnë se një person dyshohet se i vuri flakën vetes pasi hodhi benzinë mbi trup. Pamje dhe fotografi të publikuara nga vendngjarja tregojnë autobusin duke u përfshirë nga flakë të mëdha.

Në një video të regjistruar pak pas shpërthimit të zjarrit, një person i plagosur shihet duke vrapuar dhe duke bërtitur, ndërsa në sfond dëgjohen britma dhimbjeje. Sipas dëshmitarëve, ai ka thënë në shqip se një burrë kishte hedhur benzinë mbi veten dhe më pas i kishte vënë flakën trupit.

Pas incidentit, i plagosuri u ul në tokë ndërsa një kalimtar iu afrua për ta ndihmuar dhe e pyeti nëse kishte nevojë për ujë. Sipas policisë, zjarri u vu nën kontroll brenda një kohe të shkurtër, ndërsa hetuesit po punojnë për të përcaktuar saktësisht se si ndodhi ngjarja. Ka indikacione se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një person i vetëm, por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Autoritetet kanë hapur gjithashtu një linjë telefonike për qytetarët që mund të kenë informacione lidhur me ngjarjen. Hetimet pritet të vazhdojnë gjatë gjithë natës.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×