
Emisioni investigativ “TakFak” rikthehet këtë të mërkurë në ekranin e News24, me tema sociale që prekin direkt jetën e qytetarëve, sic është infrastruktura rrugore.
Një prej tyre është rruga e re që ndodhet në një nga 100 fshatrat turistike në Shqipëri, në Gjinar, e cila ka pësuar dëmtime të ndjeshme duke krijuar shqetësim në jetën e banorëve të zonës.
Ekipi i “TakFak” udhëtoi drejt Zavalinës, konkretisht në aksin rrugor 500 metra larg Gjinarit, e cila ndodhet buzë një rezervuari artificial.
Siç shihet dhe nga pamjet e filmuara , nga matjet e kryera nga gazetari i “TakFak”, thellësia e së çarës së rrugës rezultoi se ishte 70 cm.
Niveli i rrugës së rënë si pasojë e rëshqitjes rezultoi 25 cm dhe gjerësia e gropës së krijuar në rrugë, doli nga matjet 82 cm.
Ndërsa në total, gjatësia e rrugës së çarë rezultoi 50 metra.
Për mikrofonin e “TakFak”, banorët thonë se kjo situatë duket e pandryshuar megjithë ankesat e vazhdueshme tek pushteti vendor.
“Kjo rrugë është shumë shqetësuese. Zërin e kemi ngritur, por kush të dëgjon? Jemi dhe me fëmijë të vegjël.
Kam vite që kam ikur dhe arsyja e ikjes ka qenë rruga, uji, energjia elektrike ka qenë e dobët”, thotë një banor.
Ndërsa një tjetër thotë se pa e mbushur vitin, kjo rrugë është e dyta herë që prishet.
“Para 2-3 javësh ra një makinë, pastaj një kushëriri im që pati punuar me ta, (me firmën), foli me ta dhe sollën një skodë zhavorr, e hodhën ata, nuk ndenji as dy ditë prapë u hap. Taksat i paguajmë, shteti ose jepja, ose hiqja”, thotë një tjetër banor.
and then