
Pa Mbappe, Bellingham e shumë yje të tjerë, si rrallë herë, Real Madrid zbriste në Champions me stofi e një ekipi jo favorit përballë Man.City, por në “Bernabeu” Fede Valverde veshi stofin e heroit duke dhuruar një paraqitje spektakolare. Kapiteni realizoi një “tripletë” golash duke i dhuruar Realit një fitore të madhe, një sukses 3-0 që i jep një bonus të vyer për ndeshjen e kthimit, afron ekipin e Arbeloa-s me fazën çerekfinale në Champions.
Man.City sheh sërish makthe në Spanjë, ku pas vetëm 20 minutash, Valverde vuri në jetë mrekullinë e tij të parë, u shkëput shpejt, shmangu edhe daljen e Donnarumma-s duke dërguar topin në rrjetë. 7 minuta më vonë, sërish Valverde, këtë herë me një diagonale të bukur brenda në zonë dyfishoi shifrat duke bërë që stadiumi të shpërthente në festë. Pa u mbyllur pjesa e parë, në minutën e 42-të, Valverde realizoi një gol spektakolar duke bërë që Mbappe dhe yjet e tjerë të Realit të festonin si të “çmendur” në tribunë. Man.City dukej i “hipnotizuar në këtë trasfertë, ku Haaland dhe pjesa tjetër e fazës ofensive ishin të padukshëm.
Historia e këtij takimi nuk ndryshoi as në fraksionin e dytë, ku Vinicius në minutën e 58-të u shkëput shpejt, me Donnarumma-n që u detyrua të ndërhynte në mënyrë të gabuar. Nga pika e bardhë, Vinicius gjuajti keq, me portierin italian që i kuptoi krahun duke i mohuar Realit golin e katërt. City u përpoq të gjente të paktën një gol për të mbajtur të hapur këtë super sfidë, por Reali u mbrojt me fanatizëm duke u rikthyer edhe një herë fuqishëm në Evropë me këtë fitore të madhe. Në dritare, sy e veshë nga kjo sfidë qëndron Bayern Munich.
AS dhe Marca, dy të përditshmet spanjolle pranë Real Madrid, kishin bërë “xing” me faqen e parë duke përzgjedhur të njëjtin titull: “E paharrueshme”.
and then