
Analisti Fatos Lubonja ka komentuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me masën e sigurisë “arrest me burg”, pas reagimeve të tij në mbrojtje të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar arrestimin.
I ftuar në emisionin Studio24, Lubonja u shpreh se që në fillim të Reforma në Drejtësi në Shqipëri ishte e vështirë të besohej se një kryeministër do të ndërtonte një sistem drejtësie që mund ta çonte edhe atë vetë para ligjit.
Sipas tij, shpesh është përhapur ideja se reforma në drejtësi iu imponua qeverisë nga ndërkombëtarët, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ai tha se nuk e ndan këtë qëndrim.
“Reforma u bë për të kapur drejtësinë dhe për të fuqizuar pushtetin e tij, por me një dinakëri, duke përdorur ndërkombëtarët”, u shpreh Lubonja.
Sipas analistit, kryeministri ka ditur të ndërtojë një imazh publik të një qeverie që promovon shtetin e së drejtës dhe integrimin europian, ndërsa në të njëjtën kohë, sipas tij, ka bashkëpunuar me struktura të krimit të organizuar.
Lubonja u ndal edhe te roli i SPAK-ut, duke thënë se në fazat e para drejtuesit e prokurorisë mund të kenë qenë më të afërt me pushtetin politik, por më pas, sipas tij, kanë pasur edhe mbështetje nga ndërkombëtarët.
Megjithatë, ai shtoi se në këtë mbështetje ndërkombëtare sheh më shumë elementë fasade sesa substancë.
Në fund, Lubonja tha se zhvillimet e fundit janë një provë për drejtësinë shqiptare, duke theksuar se nëse institucionet e reja të drejtësisë do të funksionojnë realisht, hetimet duhet të shkojnë deri në nivelet më të larta të pushtetit.
and then