
Alket Rizai mungon për të katërtën herë brenda 24 orëve, pasi nuk është kthyer në burgun e Domokos pas përfundimit të lejes së dhënë nga autoritetet greke. I dënuari shqiptar kishte marrë leje nga burgu, e cila përfundonte të hënën në mëngjes, por nuk u paraqit për t’u rikthyer në qeli. Policia greke ka nisur kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa deri tani operacioni nuk ka dhënë rezultat.
Rizai dyshohet se është përfshirë në një incident me armë zjarri që ndodhi në orët e para të së dielës jashtë një bari plazhi në Anavyssos, ku pati shkëmbim zjarri. Sipas autoriteteve greke, provat e mbledhura deri tani tregojnë se Rizai dyshohet se ka qëlluar me armë në ajër gjatë incidentit. Për këtë arsye, ndaj tij pritet të rëndojnë edhe akuza të reja, ndër të tjera për armëmbajtje dhe përdorim arme.
Një grup oficerësh të Drejtorisë së Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me efektivë të Sigurisë së Atikës Juglindore, po vijojnë kontrollet për gjetjen e tij. Ndërkohë, në hetimet e policisë greke është ngritur edhe dyshimi se Rizai mund të jetë larguar drejt Shqipërisë. Sipas informacioneve që kanë mbërritur tek autoritetet greke, gjurma e fundit e tij është lokalizuar në Greqinë e Veriut, duke ngritur dyshimet se prej andej mund të ketë kaluar ilegalisht kufirin drejt Shqipërisë.
Megjithatë, kjo mbetet një pistë hetimi dhe deri tani nuk ka konfirmim zyrtar se Rizai ndodhet në Shqipëri. Alket Rizai është një emër i njohur për autoritetet greke dhe lidhet prej vitesh me botën kriminale. Ai është përmendur edhe për marrëdhënien e tij me të shumëkërkuarin Vasilis Paleokostas. Sipas raportimeve, vetëm gjatë pesë viteve të fundit Rizai kishte përfituar 16 leje nga burgu. Këtë herë, moskthimi i tij në përfundim të lejes ka aktivizuar një operacion të gjerë kërkimi në Greqi.
Në të njëjtën kohë, policia greke është në kërkim edhe të një shtetasi afgan, i dyshuar si personi që qëlloi dhe plagosi disa qytetarë gjatë incidentit në Anavyssos. Sipas hetuesve, ai dyshohet se ka lidhje me biznesin pranë të cilit ndodhi përplasja me armë.
and then