
Një ngatërresë mbiemri gjatë raportimit të një aksioni të Prokurorisë së Fierit ka shtyrë biznesmenin Kastriot Haskaj t’i drejtohet zyrtarisht Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) me ankesë për cenim të reputacionit dhe publikim të të dhënave të pasakta.
Çështja lidhet me hetimin e Prokurorisë së Fierit për tjetërsimin e 11 mijë hektarëve tokë në zonën e Semanit. Në kuadër të këtij hetimi u caktuan masa sigurie ndaj dy ish-drejtuesve të ASHK Fier, Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj, juristit P. Ç., si dhe biznesmenit Kastriot Hasko, i akuzuar si përfitues i pronave nën veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Shpërdorim i detyrës” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Megjithatë, gjatë raportimit fillestar në disa portale dhe mediat audiovizive, mbiemri i biznesmenit të përfshirë në dosje u raportua si “Haskaj” në vend të “Hasko”.
Në dokumentin e dorëzuar pranë AMA-s, Kastriot Haskaj thekson se përdorimi i emrit të tij ka cenuar drejtpërdrejt figurën e tij publike, aktivitetin sipërmarrës dhe markën tregtare me të cilën lidhet.
Lidhur me ngjarjen, Haskaj u shpreh:
“Personi për të cilin bëhet fjalë në këtë çështje është Kastriot Hasko dhe jo Kastriot Haskaj. Megjithatë, në orët e para të publikimit të lajmit, emri im është përdorur si personi i arrestuar dhe është lidhur drejtpërdrejt me aktivitetin tim profesional dhe me markën ‘Moncafe’.”
Ai nënvizoi se raportimi i pasaktë nuk mund të trajtohet si unifikim apo lëshim teknik:
“Theksoj se ky nuk mund të konsiderohet thjesht një ngatërresë emrash. Bëhet fjalë për dy persona të ndryshëm, me mbiemra, identitete dhe të dhëna personale të ndryshme. Për pasojë, publikimi i emrit tim në një ngjarje penale me të cilën nuk kam asnjë lidhje ka sjellë një cenim serioz të emrit, reputacionit dhe figurës time publike e profesionale.”
Përpos ngatërrimit të identitetit, Haskaj sqaroi se disa prej subjekteve mediatike kanë përdorur fotografi të një hoteli në pronësi të tij (i cili aktualisht administrohet nga një palë e tretë). Gjithashtu, ai sqaroi se është bashkëpronar në shoqërinë “Indrit SHPK”, e cila është distributore e markës së kafenese “Moncafe” në Shqipëri dhe rajon.
and then