Dardanët përgatiten me intensitet maksimal, Avdyli dhe Korenica optimistë para Irlandës

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot stërvitjen e dytë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e parë ndaj Irlandës, në Grupin B3 të Ligës së Kombeve.

Seanca stërvitore u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali, ku përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion të gjithë 27 futbollistët e grumbulluar për katër ndeshjet e para të këtij edicioni.

Stërvitja u zhvillua me intensitet të lartë, ndërsa fokusi i stafit teknik ishte te përgatitjet taktike dhe teknike për sfidën ndaj Irlandës. Futbollistët treguan angazhim maksimal dhe motivim të lartë në prag të ndeshjes së parë.

Në grumbullimin e parë me Kombëtaren A janë Milot Avdyli, Erblin Osmani dhe Dion Kaçuri.

Avdyli, i cili më parë ka qenë kapiten i Kombëtares U21 të Kosovës dhe aktualisht është pjesë e Celjes së Sllovenisë, ka shprehur kënaqësinë për mundësinë që t’i bashkohet ekipit A.

“Kam qenë në të gjitha gjeneratat dhe është një ndjenjë e papërshkrueshme të luaj për Kombëtaren A. Shpresoj ta tregoj veten dhe të kemi katër ndeshje të mira”, ka thënë Avdyli.

Ai ka vlerësuar pritjen që i është bërë në Kombëtare, duke theksuar se bashkë me dy debutuesit e tjerë janë ndjerë shumë mirë.

“Pritja ka qenë mjaft e mirë. Disa i kam njohur nga e kaluara. Pritja ka qenë e mirë për mua dhe për dy lojtarët e tjerë. Jemi shumë të lumtur”, është shprehur Avdyli.

Ai pret rezultate pozitive nga katër ndeshjet e para, duke vlerësuar potencialin që ka Kosova.

“Besoj se do të kemi rezultate pozitive, marrë parasysh ekipin që kemi. Kemi lojtarë të rinj dhe me eksperiencë që mund ta bëjnë dallimin. Shpresoj t’i fitojmë ndeshjet”, ka thënë ai.

Ndërkohë, pjesë e grumbullimit është edhe Meriton Korenica, i cili iu bashkua Kombëtares pas lëndimit të Donat Rrudhanit.

Korenica, i cili këtë sezon është pjesë e FCSB-së rumune, pasi më parë luajti për Clujin, po kalon një formë të mirë.

29-vjeçari, i cili ka gjashtë paraqitje me Kosovën, thotë se përgatitjet për ndeshjen e parë po zhvillohen në mënyrën më të mirë.

“Po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen e parë. Gjithçka po shkon shumë mirë. Lojtarët janë të motivuar për ndeshjen e parë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë”, ka deklaruar Korenica.

Ai synon që Kosova të kërkojë fitoren në secilën ndeshje të këtij cikli.

“Kosova ka treguar potencial të madh dhe pres, pse jo, ta fitojmë ndeshjen kundër Irlandës dhe në çdo ndeshje ta japim maksimumin për t’i fituar pikët e plota dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka theksuar Korenica.

Mesfushori kosovar ka bërë thirrje edhe për përkrahje nga tifozët.

“Pres përkrahje në çdo ndeshjedhe në çdo ndeshje të fitojmë pikët e plota”, ka thënë ai.

Krahas Irlandës, Kosova në Grupin B3 të Ligës së Kombeve është së bashku me Austrinë dhe Izraelin.

Stërvitjen e radhës, e cila do të jetë zyrtare para ndeshjes me Irlandën, Dardanët do ta zhvillojnë nesër në orën 17:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×