
Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Chiari të Italisë, ku 21-vjeçari me origjinë shqiptare, Eduart Xhani, akuzohet se vrau me thikë nënën e tij, 39-vjeçaren Meleqe Lusha. I riu ka dëshmuar para gjyqtarit nga shtrati i spitalit, ku ndodhet i shtruar në repartin e psikiatrisë, pas vlerësimeve të kryera nga specialistët.
Gjatë seancës për vleftësimin e ndalimit, të zhvilluar në spital, Xhani ka pranuar se ishte ai që i mori jetën së ëmës, duke përsëritur atë që kishte deklaruar edhe për karabinierët pas arrestimit. Por, në dëshminë e tij, 21-vjeçari ka pohuar gjithashtu se kishte tentuar t’i jepte fund jetës edhe përpara se të kryente vrasjen, por pa ia arritur qëllimit.
Përpara gjyqtarit të hetimeve paraprake të Gjykatës së Breshias, Mauro Ernesto Macca, i riu ka dhënë përgjigje që, sipas mediave italiane, kanë qenë të paqarta dhe të çorientuara, veçanërisht kur është pyetur për arsyet që e shtynë të kryente krimin. Kjo gjendje bëri që ai të transferohej në spital, pasi fillimisht ishte dërguar në burgun Canton Mombello.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, krimi ndodhi rreth orës 21:00, në banesën ku 21-vjeçari jetonte me nënën e tij. Ata ndodheshin në kuzhinë, kur i riu dyshohet se mori një thikë dhe e goditi disa herë 39-vjeçaren në fytyrë dhe në gjoks, duke i shkaktuar vdekjen.
Ajo që e bën edhe më tronditëse ngjarjen është fakti se, deri në këto momente, nuk janë evidentuar konflikte apo debate të mëparshme mes nënës dhe djalit. Krimi dyshohet se ndodhi në rrethana të zakonta, ndërsa motivi mbetet ende i paqartë.
Pas vrasjes, Xhani u largua nga banesa dhe për afro 10 orë udhëtoi me makinën e tij nëpër provincat e Breshias dhe Kremonës. Ai kishte ende të veshura rrobat e ndotura me gjakun e nënës. Të nesërmen, rreth orës 07:00, ndaloi automjetin tip “Audi” pranë një patrulle karabinierësh në Kremona.
Në momentin që njëri prej efektivëve iu afrua, 21-vjeçari bëri një deklaratë tronditëse: “Kam vrarë mamin tim. Në shtëpinë tonë”.
Mësohet se i riu kishte punuar më parë si punëtor krahu dhe së fundmi ishte punësuar si kamarier në një restorant të rrjetit Burger King në Rovato. Ai ishte fëmija i vetëm i familjes dhe nuk rezultonte me precedentë penalë apo probleme të mëparshme me drejtësinë. Personat që e njihnin e përshkruanin si një djalë të mbyllur dhe të heshtur.
and then