“Qeveria është e konsumuar nga skandalet, asnjë fjalë për ekonominë e shqiptarëve”, Salianji: Koha që opozita dhe qytetarët të mos e pranojnë më

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar me tone të ashpra ndaj propozimit të qeverisë së re nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar atë si një “qeveri sekti dhe pushteti”, e cila nuk sjell asgjë pozitive për qytetarët dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Salianji shprehet se çdo emërim dhe propozim i bërë nga Rama synon vetëm përjetësimin e sundimit personal dhe shuarjen e çdo hapësire kontrolli institucional.

“Propozimi i qeverisë së vjetër dhe konsumuar nga skandalet dhe abuzimet nuk sjell asgjë pozitive për qytetarët dhe Shqipërinë! Kjo është qeveri sekti dhe pushteti, jo e qytetarëve,” shkruan Salianji.

Ai thekson mungesën e çdo vizioni për ekonominë, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve në qasjen e re qeveritare:

“Asnjë vizion për ekonominë, asnjë fjalë për sigurinë, mirëqenien dhe shpresën e shqiptarëve! Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë pushtet në duart e një njeriu, por për institucione të forta, ekonomi të zhvilluar dhe siguri për çdo familje.”

Salianji bën thirrje për mobilizim të opozitës dhe qytetarëve, duke e cilësuar këtë moment si kritik për të mos lejuar vazhdimin e një modeli qeverisës që, sipas tij, ka në fokus vetëm mbijetesën politike dhe jo interesin publik.

“Ky është momenti për opozitën dhe qytetarët që të mos pranojnë më një qeverisje që mendon vetëm për mbijetesën e vet politike dhe jo për të ardhmen e vendit.”


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×